Rasti Pango, Daul: Do e shkarkoja për 2 minuta
Përgjegjësia e ish–ministrit Ylli Pango lidhur me skandalin e zbuluar nga emisioni “Fiks Fare”, përpara se të jetë një vlerësim juridik, është një normë morale që nuk mund të relativizohet nga prezumimi i pafajësisë. Kjo është verifikuar pikë së pari nga shkarkimi që Kryeministri Sali Berisha i bëri Pangos vetëm pak minuta pas transmetimit të pamjeve filmike dhe që për më shumë është prirje dominuese në moralin drejtues të të gjithë skenës politike europiane. Në ligjëratë të drejtë, ky kod etik i politikës është bërë prezent dje edhe nga kreu i eurodeputetëve të djathtë, Jozeph Daul, në një intervistë për gazetarin e “Top Channel”, Endri Xhafo. “Po, tamam, unë do të bëja të njëjtën gjë po të isha Kryeministër. Kjo s'ka të bëjë fare me partinë, por nëse kam një përgjegjësi të tillë, qoftë edhe në stafin tim, apo brenda grupit të partive popullore, nëse ndodh, ju garantoj se nuk do të zgjasë as dy minuta”, ka deklaruar Daul. Ai ka dhënë këtë gjykim pas pyetjes së bërë nga gazetari i “Top Channel” rreth kërkesës për favore seksuale që ish-ministri i bënte gazetares së “Fiks Fare”, pyetje e cila riprodhon një fakt konkret dhe të pakontestueshëm. Si i tillë, edhe pozicionimi i klasës politike dhe shoqërisë në dënimin e sjelljes së Pangos buron nga aktet e këtij të fundit, të cilat janë kryer në vullnet të lirë, sikurse fakton shumë qartë videoja e transmetuar. Referuar kësaj situate, sikurse e gjithë shoqëria, edhe Daul ka folur për nevojën e normave morale të një sjelljeje korrekte, e cila është e detyrueshme për figurën e një zyrtari shtetëror. “Duhet që në jetën e një ministri, apo të një vendimmarrësi, të respektohen disa norma, qoftë edhe në jetën private. Në lidhje me jetën seksuale, nëse është familjare apo tjetër...”, është shprehur ai për “Top Channel”, duke e cilësuar situatën në fjalë si “skandaloze”. Nisur nga ky qëndrim, që niset nga parimet e familjes evropiane, ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet, është e qartë se pafajësia që kërkohet apo jepet, duke lënë në hije moralin dhe etikën, deformohet për t’i dhënë opinionit një model aspak shpresëdhënës.
#