Opozita: Të ndryshojë bashkëjetesa me pushtetin
Opozita do t’u rikthehet protestave nëse ofertat e saj për arritjen e kompromisit do të refuzohen. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ritheksuar dje vendosmërinë e opozitës për realizimin e transparencës së 28 qershorit, për të cilën ajo nuk do të kursejë asnjë investim politik. “Në rast se rezultati nuk do të vijë në këtë stacion, ne do të rimarrim rrugën e protestës sonë, rrugën e përshkallëzimit të saj, siç tanimë shqiptarët dhe mbarë ajo pjesë e vogël e botës së madhe demokratike që na ndjek e di se jemi në gjendje ta bëjmë, për ta gjetur zgjidhjen në stacionin e ardhshëm”, u shpreh dje kreu i selisë rozë gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët. Paralajmërimi për rifillimin e protestave qytetare aktualizon që tani perspektivën e zhvillimeve politike, përmes konstatimit opozitar për ekzistencën e krizës, e cila vijon që prej 1 viti. Në këtë kuadër, Rama ka sinjalizuar nisjen një turi në bazë së bashku me diskutimin në forume në funksion të përgatitjes së aksionit të pritshëm në vjeshtë. “Ditët në vijim do të jenë ditë të bashkëbisedimit dhe të vendimmarrjes së përbashkët në grupin parlamentar dhe më gjerë, për mënyrën se si do të procedojmë”, u shpreh Rama. Interesi politik i opozitës i përcjellë në këtë formë prej tij, duket se rezonon me apelin publik të Komunitetit Europian. Kështu, në një lexim të vetin politik të projektrezolutës së miratuar tri ditë më parë nga Komiteti i Politikës së Jashtme të Parlamentit Europian, Rama ka vlerësuar se në realitet drafti përfaqëson një pasqyrë të Shqipërisë, ku si i vetmi moment pozitiv është vetëm ai që lidhet me propozimin për liberalizimin e vizave. Ndryshimi i kësaj situate është edhe thelbi i kauzës opozitare, që vjen në sinkron me nevojat e demokracisë dhe interesit qytetar teksa përputhet me nevojën për plotësimin e kriterit politik për integrimin e vendit. “Do t’ju ftoja të gjithëve që, duke lexuar dokumentin, të ndajmë së bashku shqetësimin shumë serioz për pasqyrën që ky dokument i bën situatës në Shqipëri dhe për vijën logjike të Kryeministrit të Shqipërisë, e cila është tretur në drejtim të paditur, përderisa Kryeministri nuk është në gjendje ta shohë këtë pasqyrë... Nuk jemi një forcë destruktive. Ne jemi një opozitë që përfaqëson shumicën e shqiptarëve në kërkim të një demokracie funksionale”, deklaroi Rama. I përqendruar në artikulimin e nismës së vet politike, ai ka minimizuar edhe mesazhet e përcjella së fundmi në Tiranë nga kreu i eurodeputetëve të djathtë në Parlamentin Europian, Jozeph Daul, i cili është shfaqur si një mbështetës i Kryeministrit aktual Sali Berisha. “Z.Daul, siç e tha dhe vetë, erdhi në një vizitë të planifikuar 4 muaj më parë. Bëri atë që do kishte bërë edhe katër muaj më parë, bëri fushatë për PD, si një parti simotër dhe për Kryeministrin si një partner sivëlla... Unë u mbetem besnikërisht atyre që kam thënë dhe gjithçkaje që kam shkruar në letrën e adresuar zotit Daul dhe zotit Schulz, që shpresoj në kthim zoti Daul ta marrë”, u shpreh kreu i PS-së.
#