Kontracepsioni modern, i papërdorshëm nga shqiptarët
Abortet vazhdojnë të mbeten në nivel të lartë, pasi shqiptarët i përdorin shumë pak metodat moderne kontraceptive, ndonëse i njohin ato. Një studim i fundit demografiko-shëndetësor ka nxjerrë në pah se ndonëse 99 % e grave dhe burrave shqiptarë në moshë riprodhuese i njohin metodat kontraceptive, vetëm 11 % e tyre i përdorin ato. Të dhënat tregojnë se krahas nivelit të ulët kombëtar të fertilitetit, aborti vazhdon të përdoret si një mënyrë për kontrollin e numrit të fëmijëve në familje. Në krahasim me vitin 2002 shihet një rritje e lehtë prej 8 për qind. Shqetësimi u ngrit gjatë konferencës kombëtare me temë “Planifikimi familjar për një Shqipëri të shëndetshme”, që u zhvillua në Durrës. Duke u ndalur në këtë situatë, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili tha se ka pasur një progres të dukshëm, ndonëse ka ende për të bërë në drejtim të një përdorimi sa më të gjerë dhe efikas të kontracepsionit modern.
“Në dy dekadat e fundit, Shqipëria ka bërë progress të dukshëm përsa I përket planifikimit familjar, po ka ende për të bërë në këtë drejtim, si dhe në drejtim të përmirësimit të mundësive në mënyrë që kontracepsioni modern të jetë për shqiptarët pjesë e një jete të shëndetshme”, tha kreu i dikasterit të shëndetësisë në fjalën e vet përshëndetëse. Si pjesë e asistencës teknike ndaj Ministrisë së Shëndetësisë, programi i USAID-it “Akses në planifikimin familjar” ka prezantuar disa përqasje dhe ndërhyrje të reja që synojnë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të planifikimit. Ministria e Shëndetësisë ka hartuar rishtazi Strategjinë e re Kombëtare të Shëndetit Riprodhues për vitet 2010-2015 ku planifikimi familjar zë një vend të rëndësishëm, duke synuar rritjen e shkallës së përhapjes të kontraceptivëve. Konferenca sipas organizatorëve të saj i ofroi ekspertëve vendas një mundësi për të evidentuar rrugë bashkëpunimi në zbatimin e qëndrueshëm të përqasjeve të suksesshme në nivel kombëtar e rajonal, në përgjigje të nevojave dhe për të përmirësuar shëndetin e grave dhe fëmijëve.
#