Raundi i dytë, Kuvendi vendos sot për datën e votimit
Kuvendi pritet të vendosë sot për datën e raundit të dytë të votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Seanca e sotme pritet të shoqërohet me debate mes mazhorancës edhe opozitës, kjo pasi edhe një ditë më parë të dyja palët nuk ranë dakort në Konferencën e Kryetarëve për një datë.
Mazhoranca kërkoi që kjo seancë të zhvillohet të hënën, në datën 4 kurse opozita kërkoi datën 5 qershor. Në bazë të Kushtetutës, raundi i dytë i votimit për president në parlament zhvillohet brenda 7 ditësh pas raundit të parë, çka do të thotë që duhet ti përkonte me datën 6 qershor.
Procedurat
Në Kushtetutë është vendosur që procesi i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të bëhet në pesë raunde nëse zgjedhja nuk arrihet në raundin e parë dhe kandidatët të marrin 84 vota të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e kreut të shtetit do të kryhet çdo shtatë ditë, derisa kandidatët që do të jenë në garë të sigurojnë një mbështetje maksimale. Çdo votim do të kryhet në mënyrë të fshehtë dhe pa debat. “Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni”, thuhet në nenin 86 të Kushtetutës.
Ndërkohë një ditë më parë, dështoi raundi i parë i votimit për president të ri të vendit pasi mazhoranca dhe opozita nuk arritën kompromis për të çuar në parlament një kandidat. Mazhoranca ka propozuar si kandidat të saj për president të vendit, anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori por kjo kandidaturë nuk është pranuar nga opozita e cila e ka cilësuar si të njëanshme.