Reagime për shpalljen e Haradinaj për qytetar nderi të Tetovës

Vanço Shehtanski, drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Pushtetin Lokal dhe kryetar i partisë ultranacionaliste maqedonase TMRO, ka theksuar se do të anulojë vendimin e këshillit komunal të Tetovës, për shpalljen e Ramush Haradinaj për qytetar nderi të Tetovës, transmeton INA.
TMRO është pjesë e koalicionit qeveritar me VMRO-DPMNE dhe se kreu i kësaj partie më parë bllokoi dhe problematizoi vendimin e komunës së Çairit për emërtimin e shkollave me emra të personaliteteve historike shqiptare.
Shehtanski deklaroi se inspektorët e këtij inspektorati do të reagojnë sapo të marrin vendimin e këshillit të Tetovës, i cili shpallë Haradinaj për qytetar nderi. Sipas tij, ky vendim nuk ka përfillur parimin e Badenterit, për shkak të mungesës së votave të këshilltarëve maqedonas.
Ceremonia për shpalljen e Haradinaj për qytetar nderi do të ndodhë gjatë ditës së hënë të javës së ardhshme, ndërsa këshilltarët komunal shqiptarë dje njëzëri shpallën vendimin. /Indeksonline/