AAK më15 prill me udhëheqësi të re

Zgjedhjet e brendshme në AAK do të përfundojnë brenda muajit prill, ka thënë koordinatori i procesit zgjedhor, Valon Tolaj. Sipas tij, edhe pas këtyre zgjedhjeve nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në statutin e kësaj partie, por priten prurje të reja, sepse interesimi fillimisht është shumë i madh
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), zgjedhjet brenda partisë do t’i përfundojë në muajin prill të këtij viti. Valon Tolaj, koordinator i procesit zgjedhor brenda në AAK, ka thënë se procesi është i ndarë në tri faza.
Në fazën e parë do të zgjidhen anëtarët e nëndegëve, kurse faza e dytë përfshin finalizimin e zgjedhjeve të strukturave në degët nëpër Komuna. Sipas tij, dy fazat e para pritet të përfundojnë brenda 15-20 marsit, kurse zgjedhjet për strukturën qendrore do të mbahen më 15 prill. “Zgjedhjet për udhëheqësinë qendrore të partisë do të mbahen më 15 prill.
Kjo është data e cila është më e afërt, mund të ndryshojë me ndonjë ditë para ose mbrapa, por ajo çka është e sigurt është se në muajin prill do të përfundojë ky proces zgjedhor”, ka thënë Tolaj per lajmin.
Kurse sa i përket kandidatit për kryetar të partisë, Tolaj ka thënë se ai do të jetë kryetari i tanishëm, Ramush Haradinaj. “ Gara është e hapur dhe mund të paraqesë kandidaturën e tij kush do që dëshiron, por Ramush Haradinaj, do të jetë kryetar përsëri pasi ka forcën politike për ta drejtuar partinë”, ka thënë koordinatori i zgjedhjeve të brendshme në AAK.
Ai ka thënë se nga ky proces pritet që të ketë ardhje të reja në strukturat udhëheqëse të partisë, por kjo do të varet nga rezultatet e degëve në parti që marrin kandidatët.
“Unë pres që të ketë ndryshim sa i përket emrave të rinj në udhëheqje të partisë, por kjo varet nga votat që marrin kandidatët në degë, pasi numri i votave e bën secilin anëtar më legjitim”, ka thënë Tolaj./Indeksonline/