E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimet, Kongresi i PS-së sipas PD-së dhe LSI-së

TIRANË - Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë komentuar zhvillimet më të fundit në Partinë Socialiste. Ata e kanë quajtur Kongresin si vegël të Edi Ramës, ku mungonte fryma demokratike.

Ferdinand Xhaferri i PD-së u shpreh sot se "Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste u karakterizua nga censura e cila është standardi i vetëm i PS-së". Sipas tij, Kongresi nuk kishte asnjë alternativë, votimi i fshehtë nuk ekzistonte dhe demokracia e brendshme përfaqësohej nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi.



Xhaferri e quajti Kongresin si disfata elektorale e Edi Ramës. Ndërsa i pyetur se kur do mblidhet Kongresi i PD-së, ai u përgjigj se "kjo forcë politike është ende në festë dhe nuk ka nevojë për Kongres".


Partia tjetër e koalicionit qeverisës, ka qenë më e ashpër me Ramën. Përmes zëdhënësit të shtypi, LSI është shprehur se "Edi Rama demonstroi dje me fjalimin e mbajtur në Kongresin e Partisë Socialiste fytyrën e qartë të një kryetari të papërgjegjshëm". Zëdhënësi Ralf Gjoni vijoi më tej me fjalët: "Gjuha staliniste e Edi Ramës kundër të gjithëve, dhe në mënyrë të veçantë kundër LSI-së, na forcon bindjen në drejtësinë e vendimit tonë për këtë koalicion të rëndësishëm dhe historik me PD-në".


Sipas tij, Rama përdori një gjuhë provokuese duke demonstruar se e urren të majtën dhe se interesat e të gjithë mbështetësve të Partisë Socialiste ai i sheh vetëm si një trampolinë për të mundësuar realizimin e një pushteti mafioz absolut dhe të një diktature personale pakufi", tha ai. I pyetur rreth bashkëpunimit të Ramës me 5 anëtarët e LSI (Xhufi, Klosi, Brokaj, Legisi e Muçi), zëdhënësi i LSI-së u shpreh se "pas krimit elektoral të orkestruar prej tij, është tepër vonë për Edi Ramën të kërkojë bashkëpunim me LSI-në. Ai kërkon të shkatërrojë dhe të krijojë kaos, ndërsa ne do të veprojmë në shërbim të interesave të gjera të qytetarëve shqiptarë".



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›