E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhen arsyet e vërteta të djegies së metalurgëve në 'Kurum'

ELBASAN - Realisht nuk ka pasur shpërthim të furrës dhe llavës por djegie nga skoriet e furrës. Dje pasdite tre punëtorë shqiptarë dhe një turk janë urdhëruar që të futen poshtë furrës e ta pastrojnë nga pluhuri dhe skoriet e grumbulluara në dhomën poshtë saj. Por sapo janë futur brenda dhe kanë nisur nga puna ka pasur shembje të masës së skorieve e cila i ka zënë poshtë. Poshtë furrës është krijuar gjendje kaotike për shkak të temperaturës dhe tymit që ka shpërthyer në dhomë.

Punëtorët kanë dhënë alarmin duke kërkuar ndihmë. Por nxjerrja ka qenë mjaft e vështirë dhe me rrezik. Punëtorët e tjerë kanë mundur ti nxjerrin nga dhoma e ferrit dhe i kanë dhënë ndihmën e parë në uzinë. Më pas ata janë nisur me shpejtësi drejt spitalit kirurgjik të Elbasanit.

Punëtori turk Murat Silis është nisur i pari në drejtim të Tiranës. Ndërsa punëtorët shqiptarë kanë marrë ndihmën e nevojshme në spitalin Kirurgjik të Elbasanit. Drejtuesit turq janë mundur të fshehin ngjarjen. Por gjithçka është dekonspiruar nga ambulancat dhe nga familjarët e metalurgëve që kanë arritur të alarmuar në spital. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor. Sipas të dhënave të para rezulton se punëtorët janë urdhëruar të pastrojnë dhomën poshtë furrës nga pluhuri dhe skoriet por masa ka qenë tepër e nxehtë dhe ka zënë punëtorët në befasi. Policia ka nisur hetimet për shkelje të rregullave të sigurimit teknik në punë.

Gjatë dhjetë viteve të fundit në uzinën e prodhimit të çeliqeve ka pasur disa shpërthime me pasoja mjaft të rënda për jetën e metalurgëve. Gjatë një dekade në Kurum kanë humbur jetën 5 punëtorë. Shpërthimi më i fuqishëm ishte ai i janarit të vitit 2007 ku si pasojë e plasjes së furrës gjetën vdekjen dy punëtorë e u plagosën rëndë 10 të tjerë.

Aksidenti me pasojë plagosjen e katër punonjësve të firmës turke "Kurum International" ka ndodhur rreth orës 20.15 të ditës së djeshme, në qytetin e Elbasanit. Punëtorët e dëmtuar janë Hysen Cungu 52 vjeç, banues në lagjen "Luigj Gurakuqi" Elbasan. Luan Muametaj, 52 vjeç, banuen në lagjen "Partizani" Elbasan. Arben Muhametaj, 38 vjeç, banues në fshatin Paperr Elbasan, Murat Silis, 30 vjeç, shtetas turk.

Punetorët Luan Muametaj dhe Murat Silis janë ne gjendje te rende dhe pasi morën mjekim e pare ne spitalin kirurgjik Elbasan jane dërguan në spitalin Ushtarak Tiranë për mjekim me te specializuar. Ndërsa shtetasit Hysen Cungu dhe Arben Muhametaj pasi morën mjekim ne spitalin kirurgjik Elbasan u larguan për në banesën e tyre pa probleme shëndetësore.

Nga veprimet paraprake hetimore mësohet se shtetasit e lartpërmendur punonin ne segmentin e impiantit te dhomës se pluhurheqjes e cila ndodhet poshtë furrës se shkrirjes se çelikut dhe sapo kane hapur derën e dhomës për të pastruar pluhurin, janë djegur nga vërshimi i tij i cili ka qene shume i nxehte.

Firma po ndiqet penalisht, thane burimet e policisë, duke shtuar se materialet iu kaluan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale "Shkelja e rregullave te mbrojtjes ne pune".



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›