E Diel, 1 Nëntor 2026

Remzi Ademaj, hero i Kosovës, Thaçi premton sukses edhe në OKB

Prizren, 15 gusht - Suksesi i arritur i Kosovës në GJND do të shoqërohet me triumf edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe garanci për këtë është sakrifica e popullit të saj përgjatë vitesh, ka vlerësuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të dielën mbrëma në Prizren. Këtë optimizëm shefi i ekzekutivit kosovar e ka shprehur në akademinë përkujtimore kushtuar 12 vjetorit të rënies së dëshmorit Remzi Ademaj - komandant Petritit, me ç'rast ka theksuar se shtetësia e Kosovës po vuloset gjithnjë e më shumë në arenën ndërkombëtare, ndërkohë që qëndrueshmëria e saj është e bazuar në gjakun dhe vullnetin e dëshmorëve të rënë për liri. 

“Sot, në këto momente kur përsëri e gjithë bota është e mobilizuar së punuari, së foluri e vepruari dhe duke marrë vendime për Kosovën, gjithë ato suksese që po i arrijmë edhe në GJND, dhe suksesin tjetër që do ta arrijmë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, dua të theksoj si kryeministër i vendit se i gjithë ky sukses buron te sakrifica e njerëzve, si Remziu, te sakrifica e qytetarëve të Kosovës, sepse këto vendime të reja ndërkombëtare janë rezultat i sakrificës tonë, janë vulosje e përjetshme e shtetit tonë, i cili fillimisht u vulos nga gjaku dhe amaneti i dëshmorëve të lirisë", ka thënë Thaçi para të pranishmëve që kishin mbushur sallën e Shtëpisë së Kulturës.

Duke përcjellë porosinë e të parit të vendit, shefi i ekzekutivit ka bërë të ditur se “duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë, historinë, çlirimin dhe shtetin e Kosovës, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu nderon me titullin më të lartë ‘Hero i Kosovës’ komandant Remzi Ademajn”.

Remzi Ademaj ka qenë epror i UçK-së, i cili ka krijuar celulat e para të kësaj ushtrie në rajonin e Prizrenit. Më 13 gusht të vitit 1998 ai ishte emëruar komandant i Zonës Operative të Pashtrikut. Gjatë kthimit nga takimi i mbajtur në Kleçkë, më 15 gusht
1998, ai has në pusinë e forcave policore serbe në afërsi të fshatit Nashec dhe bie  dëshmor.
Familja Ademaj do të pranojë dekoratën në një pritje tjetër që do të organizohet
nga Presidenca e Kosovës në javët e ardhshme.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›