E Diel, 1 Nëntor 2026

Autoritetet: Shëndeti i konsumatorëve, në rrezik

Në magazinat e shumicës, si dhe në shumë dyqane ushqimore në qytetin e Fierit janë tregtuar mallra të skaduar. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga kontrolli më i fundit që Inspektorati Ushqimor në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka kryer në disa pika të njohura si magazina shumice të mallrave ushqimore, si dhe në njësi tregtare më të vogla.

Zyrtarisht, nga Drejtoria e Bujqësisë Fier mësohet se kontrollet e tri ditëve të fundit janë përqendruar edhe në dyqanet që shesin me pakicë. Përveç konstatimit të ushqimeve të skaduara në pikat e shumicës konfirmohet se në sasi të mëdha këto ushqime janë gjetur edhe në dyqanet e pakicës.

Drejtori i Bujqësisë në Fier, Fatos Troka, ka pranuar publikisht se ende tregtarët fierakë vijojnë të abuzojnë me cilësinë dhe standardet e ushqimeve.

"Edhe pse në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme janë kryer kontrolle në dyqane të ndryshme, sërish në to gjenden ushqime që rrezikojnë konsumatorin", thotë Troka.

Ndërsa të dhënat që servir Inspektorati Ushqimor në DRUBMK tregojnë se vetëm gjatë javës së fundit janë bllokuar dhe sekuestruar më shumë se 12 tonë ushqime, të cilave u kishte kaluar prej muajsh afati i skadimit.

"Sasi të mëdha të ushqimeve të skaduara janë gjetur edhe në banakët dhe stendat e dyqaneve në zonat më të populluara të qytetit. Kjo përbën shqetësim të madh, nëse bëhet fjalë për cilësi konsumi. Tregtarët me shumicë e pakicë në Fier nuk po tuten edhe pas gjobave të rënda që janë prerë nga autoriteti ynë", tha Fatos Troka.

Gjatës javës së fundit mësohet se janë prerë 12 gjoba me vlerë 150 mijë lekë të reja.

Ndërsa për mallrat e skaduar konfirmohet se ato kanë qenë mallra të ardhura kryesisht nga importi, çka tregon se tregtarët abuzojnë duke marrë nga jashtë mallrat ushqimorë që janë në prag të skadencës.

Krahas kontrolleve të intensifikuara në dyqanet e shumicës dhe pakicës, Inspektorati Ushqimor ka futur në "sitën" e tij edhe kopshtet dhe çerdhet, ku do të kontrollohet cilësia e ushqimeve që blihen për fëmijët.

M.Troka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›