E Diel, 1 Nëntor 2026

RIKTHIMI I TRETE I GJERMANISE

Përgjatë historisë së shteteve, që nuk janë veçse krijime të njeriut dhe që mbartin veçoritë e veçantitë e çdo shoqërie (deri në fillimin e shekullit XX përdorej termi racë), gjeopolitika që s‘do të thotë tjetër gjë pos zgjidhjes së problemeve gjeografike nëpërmjet politikës, ka qenë faktor përcaktues në përuljen deri-deri edhe shkatërrimin, sikundër konsolidimin, forcimin apo zgjerimin.

Nuk ka shtet të ngjashëm në Europë që të jetë influencuar aq shumë nga pozita gjeografike sa Gjermania. E shtrirë në qendër të Europës, duke pasur përreth më shumë fqinj se sa rivalët e saj të përhershëm, Gjermania ndërmjet shekujve XVII-XIX do të shihte territorin e saj të shndërruar në teatër luftimesh. Vetëm gjatë luftës 30-vjeçare në shekullin XVII pësoi humbje që ngjiteshin deri në 30 për qind të popullsisë.

Përçarja përgatit dobësinë, kjo e fundit thërret ndërhyrjen. Jo se kombit gjerman i mungonte zotësia, zgjuarsia dhe energjia, por princat e atëhershëm, që ishin të përfshirë në rivalitete egoiste e regjionale, nuk mundësonin bashkimin. Hegeli në pamfletin e tij "Politische Schreiben" (Shkrime politike) paraqiste platformën e përmbushjes së aspiratave të popullit të tij.

Historia na mëson se elitat i sjellin kombit të tyre shpëtimin, siç mund t‘i shkaktojnë edhe rrënimin.

Zgjidhja e problemit gjerman do të vinte nëpërmjet një përfaqësuesi tipik të elitave militaro-feudale prusiane, Otto von Bismark. Bismarku, të cilin saktësisht filozofi pro-atlantikas hebreo-francez Raymond Aron do ta cilësonte si "burrin e shtetit më të zotë që Europa ka prodhuar në shekujt XIX-XX", do të zgjidhte problemin gjerman nëpërmjet dinakërisë e forcës. Tri luftëra të paramenduara prej tij iu nevojitën gjermanëve për t‘u bashkuar (kundër Danimarkës, Austro-Hungarisë dhe Francës 1870). Ish-kryeministri britanik, Benjamin Disraeli, e konsideronte luftën franko-prusiane dhe si rrjedhojë të saj bashkimin e Gjermanisë si "një ngjarje edhe më të rëndësishme se sa revolucioni francez, ndodhia që përmbysi raportin e forcave në Europë". Dhe në të vërtetë qendra e gravitetit e gjeopolitikës europiane u bë Gjermania.

Bashkimi prodhon konsolidimin, ndërsa përçarja copëzimin. Një problematikë e ngjashme pa qenë identike është hasur gjatë historisë së Shqipërisë, pavarësisht prirjes së përhershme të shqiptarëve për t‘u mbledhur në kuvende tradicionale, asnjë prej burrështetasve shqiptarë, për arsye komplekse nuk arriti të realizonte maksimalisht aspiratat tyre.

Shteti racional burokratik (term i Raymond Aron), që është ende mbizotërues në Europë në këtë fillim shekulli drejton e projekton të ardhmen, duke u mbështetur në një sistem rregullash e një arkitekture ligjore; edhe në një shoqëri ku liberalizmi i përzier me një sistem moral vlerash dominon, roli i shtetit është ende mbizotërues. Progresi i një vendi përtej mirëdrejtimit varet edhe nga karakteri e tiparet e një shoqërie, pikërisht realizimi i këtij bashkimi kanalizoi energjitë e kombit gjerman. Në harkun e 25 vjetëve fuqia e Gjermanisë do të rritej vertikalisht në të gjitha drejtimet. Gjermania ishte tashmë shteti i parë në Europë; mirëpo asaj i duhej të zgjidhte edhe nyjën e komplikuar të gjeopolitikës. Me anën e një sistemi koalicionesh, që i ngjasonte më tepër një numri cirku, pasi bëhej me kundërshtarë të vetëshpallur, Rusinë, Austro-Hungarinë e Italinë, duke inkurajuar Francën që të përqendrohej në ndërmarrje koloniale, ai ia doli mbanë të shmangte makthin e koalicioneve, fatale përherë për fatin e Gjermanisë. Koalicionet bismarkiane i mundësonin asaj të zotëronte një opsion veprimi më tepër se të gjithë rivalet e saj tradicionale. Shmangia e Bismarkut pas 30 vjetësh drejtimi, siç ka ngjarë jo rrallëherë në tragjedinë e pushteteve, ishte rezultat i zilisë së një perandori ambicioz, por të kompleksuar.

Vilhelmi-t II i mungonte gjenia e Bismarkut. I ndier superior si rrjedhojë e fuqisë së Gjermanisë, por i pasigurt, rrjedhojë e rrethimit tradicional gjeopolitik, Vilhelmi II vendosi ta këpuste nyjën gordiane nëpërmjet një goditjeje shpate.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, pavarësisht vetëmohimit të popullit gjerman, Uinston Çërçill, atëherë oficer i integruar në ushtrinë britanike, do të shkruante në kujtimet e tij se "Gjermania e vetme kishte luftuar deri në fund pjesën tjetër të botës, ajo humbi luftën, duke iu shkaktuar armiqve të saj 2/3 më shumë humbje se sa kishte pësuar vetë.

Kombet-shtete europiane prej 300 vjetësh ushtronin real-politikën, që nënkupton vlerësimin e hollësishëm të interesit kombëtar e raporteve të forcave ndërmjet rivalëve. Përcaktimet e Traktatit të Versajës ishin më tepër vendime hakmarrëse e penalizuese se sa një shqyrtim realist e vizionar për të ruajtur ekuilibrin e forcave në kontinentin e vjetër.

Meterniku një shekull më parë kërkoi riintegrimin e Francës në sistemin europian, shtetarët e Versajës zgjodhën ndrydhjen dhe poshtërimin përballë Gjermanisë. Çdokush që njeh historinë dhe shpirtin e kombit gjerman do të arrinte në përfundimin se zgjedhja e traktatit ishte e papranueshme për ta. Poeti gjerman me origjinë hebrenje pati lajmëruar rreth dy shekuj përpara, prej Parisit ku jetonte i ekziluar: "Do të vijë momenti që kur popullsitë gjermanike me atë brutalitet që gjendet në një rrëze të shpirtit të tyre, për një arsye të caktuar të shpërthejnë, atëherë do të shohim apokalipsin e vërtetë, ku luanët do ta fusin bishtin ndër shalë, të strukur thellë në shpellat e tyre dhe zotët do të zbresin nga qielli". Përshkrimi metaforik i Haines i korrespondonte më së miri realitetit të Luftës së Dytë Botërore.

"Edhe rreth 1000 vjet të tjera do të kujtohen tmerret e këtij konflikti", iu përgjigj një pyetjes sime në Paris në pranverën e 2004-s në Qendrën Studentore gjermane në Paris, Egon Bahr, këshilltari i kancelarit Vili Brandt, një prej arkitektëve të Ost-Politikës.

Epoka e pasluftës ishte ndoshta më e vështirë në krahasim me katastrofën e luftës 30-vjeçare, pasi nëse pas kësaj të fundit Gjermania ishte viktima e një agresioni të vendeve të ndryshme europiane, pas Luftës së Dytë Botërore ajo ishte përcaktuar përbotërisht si agresori kryesor, me një fjalë, as edhe një justifikim nuk ishte i pranueshëm.

Burri i shtetit shfaqet e shkëlqen në situatat më të vështira të kombit të tij dhe pikërisht përmes këtyre vështirësive, ai me mençuri dhe me vizionin e tij strategjik arrin ta zhvendosë vendin e tij nga kolapsi në normalitet, nga dobësia në konsolidim, nga përçarja në bashkim. Misioni me të cilin mvishej kancelari Adenauer ishte i ndryshëm nga ai i Bismarkut. Nacionalizmi jashtë çdo përmase dhe dy luftëra botërore kishin shteruar dëshirën për aventurat e vetmuara të Gjermanisë. Kancelari Adenauer zgjodhi rrugën e integrimit, duke u përqendruar në aleancën me Francën. Gjermania orvatej tashmë të dëshmonte se ajo i kishte lënë pas demonët e së shkuarës dhe se e ardhmja e saj ishte e ngërthyer me atë të Europës. Për sa i përket Francës, kjo aleancë konsiderohej si jetike; një Gjermani e integruar do të ishte gjithmonë larg irracionales. Adenaueri njohu njëkohësisht supremacinë ushtarake të SHBA-së në Europë si garant i ruajtjes së sovranitetit të RFGJ-së ndaj ndonjë sulmi të pritshëm prej Bashkimit Sovjetik.

Shkurt, gjatë IV shekujve dilema gjeopolitike e Gjermanisë u zgjidh nga dy shtetarë, Otto Von Bismark, i cili mjeshtërisht bashkoi Gjermaninë, duke e nxjerrë si shtetin më të fuqishëm në Europë, si edhe Konrad Adenauer, i cili duke zgjedhur rrugën e demokracisë vendosi piketat e bashkimit të ardhshëm të kombit të tij. Qëmoti, Kryeministri britanik Disraeli cilësoi mprehtësisht dhe me të drejtë bashkimin e Gjermanisë, vepër e Bismarkut, si ngjarjen më të spikatur në 200 vjetët e fundit në Europë. Ribashkimi i Gjermanisë 1990 mund të pranohet pa ndrojtje se është ndodhia më e rëndësishme në Europë, ndoshta edhe më domethënëse se përmbysja zinxhir dhe e pritshme e regjimeve komuniste në Europën Lindore, duke mbajtur parasysh madhësinë, fuqinë dhe vitalitetin e popullit gjerman.

Ribashkimi i Gjermanisë riktheu ankthin konstant të fqinjëve të saj, kryesisht Polonisë, deri diku Republikës Çeke e Francës, që bëri edhe përpjekje të pafuqishme për ta penguar atë. Pyetja buron vetvetiu: Si do të orientohej diplomacia gjermane pas bashkimit? Si do ta përcaktonin elitat gjermane interesin kombëtar të vendit të tyre në raport me mjedisin gjeopolitik ku ajo vepronte, me një fjalë përkundrejt Europës? Do të kishte një vokacion të diplomacisë së saj, duke u bazuar në piketat e vjetra historike?

Për këdo që interesohet për marrëdhëniet ndërkombëtare, një gjë duhet të jetë e qartë, me gjithë projektin revolucionarizues të Bashkimit Europian, as edhe një prej shteteve europiane nuk është i gatshëm t‘i japë prioritet një politike të jashtme të përbashkët europiane përkundrejt interesave tradicionale.

Në Ministrinë e Jashtme gjermane, në Foreign Office apo në Quai d‘Orsay vazhdohet të elaborohen doktrina në përputhje me interesin kombëtar, që është edhe shkaku i kontradiktave që shpërthejnë herë pas here ndërmjet themeluesve të Bashkimit Europian. Njohja e menjëhershme e Sllovenisë dhe e Kroacisë dëshmoi versionin e lartpërmendur se interesat tradicionale kapërcenin vizionin diplomatik të përbashkët europian, një situatë e ngjashme vërehet edhe sot ndërmjet themeluesve të BE-së (mjaftojmë të kujtojmë faktin e irritimeve e polemikave të shkaktuar te Gjermania e Kancelarja Merkel, rreth projektit francez të Bashkimit Mesdhetar). Kundërshtitë në vitet (1991-1994) ndërmjet Gjermanisë nxitëse në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, si edhe Francës serbofile, por jo imponuese të Frasua Miterranit morën trajta të hapura, duke përllogaritur dëshirën edhe përkrahjen e SHBA-së në çmontimin e shtetit artificial, doktrina gjermanike për Europën Juglindore mbizotëroi. Gjatë viteve në fjalë u krijua bindja se një aleancë SHBA-Gjermani do të përcaktonte të ardhmen e rendit europian.

Diktatori serb Sllobodan Millosheviç në mbrojtjen e tij dogmatike e inkoshiente përballë trupit gjykues të Gjykatës së Hagës, trumbetonte në mënyrë përsëritëse një kinse komplot të kurdisur nga dy shtetet e lartpërmendura në shpërbërjen e Jugosllavisë. Ka gjasa që të ketë pasur përputhje të caktuara interesash që nënkupton një lloj bashkëpunimi. Në optikën e specialistit serbofil francez të historisë militare Pol-Mari de la Gorse, pas thërrmimit të shtetit të sllavëve të jugut ishte dora e Gjermanisë dhe SHBA-së, (gjithashtu edhe e Vatikanit).

Çdo komb që synon të ndërmarrë çfarëdolloj misioni i nevojitet homogjeniteti i gjithanshëm, me një fjalë kompaktësia, gjë që për arsye të shumëfishta nuk është arritur ende prej shqiptarëve. Mao Ce Duni provokoi qëllimisht një lidhje të mbrapshtë e gjakatare, revolucionin kulturor për ta shpëtuar Kinën nga "demonët" homogjenizues të teknologjisë që njehson shoqëritë nën termin e njohur tashmë si Modernizëm Oksidental.

Treni modernizues kinez duhej të kalonte mbi shinat e tradicionalizmit kinez, kështu ai prezervoi kompaktësinë specifike të Kinës.

Në Francë, uniciteti, d.m.th. homogjeniteti u krye nga lart, nga mbretërit e saj, pasi turmat franceze ekscentrike e të prirura drejt lëvizjeve anarkiko-revolucionare nuk mund të prodhonin asnjë lëvizje centralizuese, dikur ato provokonin revolta turbulluese revolucionare, sot ato spikasin në lëvizje majtiste antiamerikane, pothuajse reaksionare.

Për Gjermaninë, e cila historikisht lëkundej ndërmjet sistemit federal dhe homogjenitetit karakterial, sfida që duhej përballuar ishte ngushtimi i hendekut ndërmjet dy Gjermanive, RFGJ e RDGJ, që do të thotë njehsimi. Me kalimin e viteve, në sajë të një zhvillimi metodologjik, si edhe sakrificat e bëra, lanë mbresën se diferenca ndërmjet dy pjesëve gjermane, asaj lindore e perëndimore, gradualisht po zvogëlohej. Në vigjiljen e shekullit XXI, si pasojë e faktorëve të lartpërmendur, Gjermania po rikthehet për të tretën herë në skenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›