E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimet për “prishjen” e koalicionit

Që të dy paritë, pas një nate të mjegullt për fatin e koalicionit qeverisës të vendit, ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas një njoftimi të partisë së parë se do të “riformatizojë” këtë koalicion, sot dolën më njoftime se “Partneriteti i koalicionit në nivel qendror (për PDK-në) mbetet i konsoliduar dhe i pacenueshëm e funksional” dhe “LDK-ja do të vazhdojë të angazhohet me përgjegjësi për funksionimin dhe zbatimin e obligimeve shtetërore që dalin nga partneriteti  në nivel qendror”.
 
Zhvillimet e fundit rreth koalicionit qeveritar, edhe një humbje e madhe për Kosovën

Zyra për informim e AAK-së, përmes një komunikate për publikun, ka shprehur opinionin e vet rreth zhvillimeve të fundit mbi koalicionin qeverisës të vendit.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerëson se simulimi i prishjes së koalicionit qeveritar nga ana e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ndodhi në kohë të keqe për shkak të proceseve të rëndësishme që përballet Kosova, sikurse procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rundit të dytë të zgjedhjeve lokale.

Qeveria Thaçi i ka shkaktuar humbje të mëdha vendit, ndërsa loja e orëve të fundit e kryeministrit të vendit vërteton papjekurinë politike të Hashim Thaçit dhe të PDK-së”, thuhet në komunatë, e cila përfundon me ftesën e AAK-së drejtuar forcave politike të Kosovës “që të punojnë për një qeveri të djathtë të Kosovës, të përgjegjshme”.

Pacolli mohon të ketë biseduar me Thaçin për koalicion

Rreth zhvillimeve mbi prishjen e koalicionit qeverisës midis PDK-së e LDK-së dhe “riformatizimit” të mundshëm të këtij koalicioni, sot është deklaruar, përmes një njoftimi për media  edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

“Dje në mënyrë jozyrtare është plasuar në opinionin publik ideja e një koalicioni të mundshëm midis PDK dhe AKR dhe LDD. Madje sipas këtij njoftimi ishte diskutuar dhe për ndarje postesh drejtuese. Me përgjegjësi të plotë politike dhe njerëzore e hedh poshtë këtë njoftim. Nuk ka patur deri me sot ndonjë komunikim zyrtar midis meje dhe zotit Thaçi në lidhje me këtë kinëse aleancë. Ndaj e quaj mungesë të thellë etike, e quaj lojë me qytetarin përhapjen e lajmeve të tilla. Gjithcka ndodhi  e quaj manovër politike që luan me dinjitetin tonë politik dhe njerëzor”, thuhet në njoftimin nga selia e e kësaj partie,.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›