E Martë, 3 Nëntor 2026

Reagimet për ngjarjen në Dajç të Lezhës

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, njëherazi drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Lezhë, Ulsi Manja reagoi sot në rrjetet sociale për ngjarjen e ndodhur në Dajç të Lezhës, ku Policia ka nisur një hetim mbi dy persona të cilët akuzohen se kanë kanosur familjen dhe shtabin elektoral të kandidates së Partisë Socialiste, Klotilda Ndreca.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:25. Sipas Policisë së Lezhës, në hetim janë vendosur, Xhejson Seferaj 27 vjeç dhe Ilirjan Gjoka 40 vjeç, autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Sipas Policisë ata kanë kanosur me armë njerëzit e kandidates për deputete të PS-së.

Lidhur me ngjarjen Ulsi Manja deklaron se kandidati i Koalicionit të PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Gjin Gjoni ka përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë.

“Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Dajç të Lezhës, ku u kërcënuan me armë babai, motra dhe gjithë shtabi elektoral i kandidates sonë për deputete, Klotilda Ndreca, është një akt i patolerueshëm që shkon përtej çdo kufiri të konfliktit politik.

Kandidati Gjin Gjoni duhet të marrë përgjegjësinë politike dhe ligjore për klimën e dhunshme që po nxit në Lezhë, Kurbin dhe Mirditë. Nëse dëshiron të shfaqet si trim, le t’i qëndrojë deri në fund kësaj strategjie të frikësimit dhe të mos bëjë “shokun e trimit”, duke manipuluar ngjarjen nga frika e ndëshkimit, por t’i dalë për zot trimnisë së tij e jo të fshihet pas gishtit!”, tha Manja.

“Ngjarja ka prova filmike dhe audio që vërtetojnë qartë kërcënimet dhe dhunën dhe i ka në dispozicion hetimi. Koha kur Gjini ndërtonte vetë vendngjarjet me “çekiçin” e drejtësisë së vjetër ka marrë fund me Reformën në Drejtësi. Reformën në drejtësi dhe SPAK-un i ngritëm pikërisht për raste si ky – që askush të mos fshihet më pas pushtetit apo lidhjeve politike, por të jetë i barabartë përpara ligjit. Ky rast është tashmë në duart e drejtësisë së re dhe nuk do të tolerohet asnjë përpjekje për ta zvarritur apo deformuar”, deklaron Manja.

“Gjin Gjoni dhe kushdo tjetër që mendon si ai do të mbajnë përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin e klimës së tensionuar dhe për prishjen e atmosferës politike në qarkun e Lezhës”, u shpreh ministri Manja.

Ai bën të ditur se ka “informuar zyrtarisht misionin e vëzhguesve afatgjatë të OSBE/ODIHR për ngjarjen në Dajç dhe, si drejtues politik i PS për qarkun Lezhë, u kam garantuar angazhimin tim personal dhe të partisë që përfaqësoj për një proces zgjedhor të ndershëm dhe të qetë”.

“Për ne socialistët”, vijon Manja, “kjo që po ndodh këto ditë të fundit me PD-në lokale dhe atë në qendër, është një film i vjetër që e kemi parë në 10 fushata me radhë. Fundin e dimë – jo vetëm ne, por çdo shqiptar. Dhe kështu do ndodhë edhe më 11 maj, mbajeni mend: Në takimet përmbyllëse do të shpallin fitoren dhe do të këndojnë himnin, Në mëngjes do fillojnë të varin veshët. Në drekë do zvarritin numërimin me justifikime banale, Në darkë do thonë: “Na i vodhën prapë!”

Me të njëjtin regjisor nuk mund të ketë një film ndryshe! Më 11 maj, ne do t’i mundim për herë të dhjetë PD+ASHM & Co! Ftoj të gjithë mbështetësit e PS të mos bien pre e provokimeve dhe tensioneve të qëllimshme. Ne do të fitojmë me qytetari, me projekt dhe me angazhim – jo me armë dhe kërcënime. Ne distancohemi qartësisht nga çdo akt dhune apo veprim antiligjor që cenon zgjedhjet e lira dhe kërkojmë nga institucionet kompetente të hetojnë çdo shkelje të ligjit zgjedhor, pa asnjë përjashtim!”, përfundon reagimi i ministrit të Drejtësisë dhe drejtuesi politik i PS në Lezhë, Ulsi Manja.

Në krahun tjetër, kandidati për deputet i koalicionit PD-Shqipëria Madhështore, Gjin Gjoni mohoi pasjen e armëve, teksa theksoi se PD ka ngritur grupe për mbrojtjen e votës. Ai tha se konflikti brenda listës së hapur të socialistëve ka shtuar përpjekjet për blerje votash.

“Partia Demokratike është parti fituese, pa dyshim që do jetë fituese edhe në zgjedhjet e ardhshme, pavarësisht kushteve që kryetari i Partisë Socialiste u ka vënë drejtuesve të qarkut Lezhë për të ndryshuar këtë rezultat dhe si duket janë në panik dhe pa dyshim që kërkojnë të zbatojnë me korrektësi porositë dhe urdhrat e padronit dhe deklaratat e dhëna sot, janë deklarata të pabaza, unë pa dyshim që kam përmend emra konkretë dhe jam konkret në ato që kam përmend. Informacioni i ardhur është informacion që vjen çdo ditë nga qytetarë të ndryshëm, na japin informacion për njerëz të caktuar, për emra të caktuar”, tha Gjoni në një deklaratë për mediet.

“Njerëz të cilët janë të lidhur me pushtetin qendror dhe me pushtetin lokal, pa dyshim që tani janë njerëz që punojnë në institucione të Bashkisë së Lezhës dhe në institucione qendrore që i përkasin qarkut të Lezhës, dhe nga krahu tjetër këto informacione vijnë edhe nga zyrat e tyre elektorale për shkak të konfliktit që ka shpërthyer midis kandidatëve të ndryshëm brenda listës së hapur të Partisë Socialiste, sepse secili prej tyre kërkon të ketë njëlloj superioriteti ndaj një kandidati tjetër.

Ne kemi shumë informacione dhe për takime që janë bërë se cilin prej kandidatëve do mbështesin edhe cilin jo të strukturave të PS dhe për të pasur një avantazh janë turrur si hijena në lidhje me blerjen e qytetarëve të Lezhës, pa dyshim për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve”, shtoi Gjoni.

“Ne, vijoi Gjoni, i kemi në vëzhgim total secilin prej tyre, ne kemi ngritur ekipet vullnetare për mbrojtjen e votës. Ta harrojnë që Lezha do ngelet një dele e zezë në hartën e zgjedhjeve në Shqipëri, si në zgjedhjet e përgjithshme ashtu edhe lokale”.

Ai ka publikuar dhe një video në rrjetet sociale ku shkruan se “grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. Do t’ju ndjekim këmba-këmbës”, shkruan Gjoni ndërsa ndan videon.

Policia e Lezhës në një komunikim për mediet sqaroi se u referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” .

Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases K. N.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›