E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha nga Dibra: Çdo dokument legalizimi do të konsiderohet tapi

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot takimin përmbyllës të fushatës në Dibër.

Në fjalën e tij Berisha prezantoi programin.

“Për 100 ditë ne do përzëmë nga çdo skaj i këtij vendi varfërinë ekstreme. Ne do vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar. Ne do vendosim pensionin minimal jetik 200 euro për çdo pensionist.

Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro për çdo rrogulët”, tha Berisha.

Jo vetëm kaq, shtoi ai, “do vendosim kartën e konsumatorit ku çdo rrogulët dhe çdo pensionist, çdo qytetar me minimum jetik do marrë të gjitha ushqimet bazë 20 për qind më lirë. Do vendosim në Shqipëri listën e barnave të Republikës Italiane për të rimbursuar çdo ilaç që Italia rimburson për qytetarët e saj”.

“Në 100 ditë ju nuk do blini kurrë naftën më shtrenjtë se Maqedonia apo Kosova. Në 100 ditë, energjia do ulet në 7 lekë. Tarifat e ujit do përgjysmohen. Në 100 ditë, çdo biznes i vogël do e paguajë energjinë jo 18, por 6 lekë. Çdo biznes i vogël do e paguajë hapësirën publike jo 1500, por 120 lekë. Çdo biznes i vogël do ketë për tavan për TVSH-në dhe tatimfitimin 180 mijë euro. Çdo biznes i madh, tatimfitimin 23 për qind do e ketë 10 për qind. Çdo qytetar me rrogë mbi minimalen, tatimin mbi të ardhurat do e ketë 10 për qind dhe jo 23 përqind. Çdo rrogë do rritet 13 për qind brenda 100 ditëve të para”, theksoi kreu i PD.

“Fermerë të Dibrës, më 11 maj kërkojmë nga ju 100 ditë, në mënyrë që ju të merrni ato subvencione që merr fermeri në Maqedoni e Kosovë. Fermerit në Kosovë ia paguan qeveria 70 për qind të kostos së prodhimit, kurse këtu as 10 për qind nuk ua paguan. Do hiqet çdo lloj kriteri absurd që përjashton nga subvencioni të gjithë Shqipërinë Verilindore dhe Juglindore, sepse duhet të kenë një hektar, sepse duhet të kenë 10 kokë lopë. Për çdo kokë bagëti, për çdo fidan të mbjellë, për çdo njësi prodhimi do kenë subvencione”, tha Berisha.

Kreu i PD ftoi bizneset e Dibrës të japin 100 ditë, ta provojnë se si pas 100 ditësh, taksat për ndërtimin do ulen 10 herë.

“Nuk do ketë taksë për çmimin e shitjes, por do jetë nga 10 për qind e çmimit të shitjes, do zbresë në 2 për qind të preventivit. Taksa sociale do hiqet. Garantoj dibranet dhe dibranët, se çdo gjobë e vendosur nga KESH-i, çdo gjobë e vendosur nga policia, çdo gjobë e vendosur nga IKMT-ja, hidhet në kosh të plehrave. Të gjitha falen”, tha Berisha.

Ai garantoi fermerët e Dibrës se “nuk do paguajnë kurrë siç paguajnë sot për ndërtimin e shtëpive të tyre. Kurrë. Se procedura do jetë më e thjeshta. Se nuk do u kërkohet leje mjedisi dhe asgjë tjetër përveç preventivit”.

“Legalizimet janë fjala jonë. Çdo dokument legalizimi do konsiderohet tapi. Pronarëve do u kompensohen pronat, ky është zotimi solemn. Minatorëve u premtova në Bulqizë, brenda 100 ditëve statusi i minatorit. Një detyrim, një borxh i madh i këtij brezi, por edhe i brezave që shkuan, të shqiptarëve ndaj tyre”, tha Berisha.

“Në këtë stad, në këtë moshë, unë nuk kam ambicie pushteti. Gabojnë shumë ata që mund të mendojnë këtë. Jo, i kam bërë detyrat e mia unë. Nuk kam ambicie kurrë për para, e kam ndarë mendjen 32 vite më parë, po të doja para, ndiqja rrugën e një mjeku privat dhe do isha krejt tjetër sot.

Por përsëri vij me këtë thirrje, sepse është një mision. Qe një moment kur në mënyrën më të pandershme u përpoqën që opozitën t’ia jepnin Edi Ramës, u përpoqën që Shqipërinë ta linin pa opozitë. Natyrisht ajo ishte rrënim i idealit tim dhe i idealit të shqiptarëve që e duan Shqipërinë. Dështuan dhe është një nga kapitujt më të ndritur të përpjekjes së shqiptarëve për liri. Sepse ai ishte një akt makabër. Ai mision u përmbush”, theksoi Berisha.

Por, shtoi ai, “misioni tjetër ka dy qëllime. Së pari, t’ua kthejë paratë shqiptarëve. Paratë që ua plaçkitin qeveritarët, duhet t’ua kthej shqiptarëve në rroga, pensione, kujdes shëndetësor, shkolla, punësim. Dhe unë ju garantoj se 100 ditët e para çdo shqiptar do e ndjejë këtë”.

E dyta, vijoi Berisha, “nuk ka vend më të bekuar se Dibra. Një mundësi të re për çdo dibrane e dibran, për çdo shqiptar. Kjo është pse unë sot ndërmarr këtë fushatë. Po në rast se unë gjej forcë e energji të pashtershme në këtë mision, ka forcë dhe energji shumë herë më të madhe se unë”.

Ndaj, shtoi Berisha, “më 11 maj, kjo forcë dhe energji të shndërrohet në forcën dhe energjinë e shpëtimit të Dibrës dhe Shqipërisë”.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›