Reagimi, PS: S'hyjmë në kuvendin e rezultateve të deformuara
TIRANË- Partia Socialiste ka përsëritur sërish sot qëndrimin e saj të palëkundur për të mos qenë pjesë e parlamentit, që ajo e konsideron prodhim të rezultateve të deformuara dhe të kutive të mbyllura.
Gjatë një konferencë për shtyp, deputeti socialist, Blendi Klosi ka deklaruar se forca që përfaqëson nuk kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, por kërkojmë zbardhjen e së vërtetës së 28 qershorit.
"Nuk mund të ketë mision më legjitim për një opozitë demokratike sesa mbrojtja e votës, ligjit e Kushtetutës"- tha ai, duke e quajtur betimin e djeshëm të qeverisë shfaqje hipokrite të degradimit të tejskajshëm, jo vetëm për shqiptarët që votuan përsëri në shumicë që Sali Berisha të mos e qeveriste më këtë vend, dhe të shkonte në pension politik, por dhe për të gjithë ata njerëz të ndershëm që kërkojnë që ky vend të qeveriset nëpërmjet votës së lirë.
"Sali Berisha me ministra të kërkuar nga drejtësia dhe me ministra që mashtruan popullin opozitar nuk mund të qeverisë dot në mënyrë demokratike vendin dhe prandaj Partia Socialiste është çdo ditë dhe më e vendosur të vazhdojë misionin e saj historik, atë të rezistencës demokratike në plotësim të standardeve të munguara"- tha ai, duke shtuar se .
"Sali Berisha i trembet së vërtetës së kutive të votimit të cilat i mban peng në mënyrë të kundraligjshme". Sipas Klosit PS është vendosur në rrugën e saj legjitime për të mos lejuar që ligjit të kthehet në një letër pa vlerë, që zgjedhjet të kthehen në një proces të korruptuar që tufat e kriminelëve të lejohen të dalin nga burgjet për fushatë elektorale, që drejtuesit e shtetit të përdorin postet dhe fondet publike për fushatë elektorale; që njerëzit të largohen nga puna pse nuk rreshtohen me pushtetin.
'Mendimi ndryshe' i PS-së, kërkon hyrjen në Parlament
TIRANË- Deputetët e PS-së, 'Lëvizja për mendim ndryshe' kanë kërkuar sot që kolegët e tyre ti kthehen jetës parlamentare. Ben Blushi u shpreh se "bojkoti cënon rëndë imazhin e PS-së duke e kthyer atë në qëndrime të vjetra e të tejkaluara".
Ai tha se kjo lëvizje është e bindur se bojkoti i parlamentit po imponohet nga zgjedhjet brenda PS-së ndërsa vendi ka nevojë për një opozitë në parlament për tu vënë përballë një qeverie që nuk garanton reforma dhe proces të shpejtë të integrimit të vendit.
"Ne i kërkojmë grupit parlamentar të PS-së të lexojnë me qetësi e realizëm të gjitha qëndrimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet, dhe kërkesën e tyre unike për praninë opozitare në Kuvend", u shpreh Blushi në një konferencë për shtyp.
Më tej ai shtoi se nuk i trembet lëvizjes përjashtuese brenda PS për atë dhe deputetët mbështetës të tij. Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, janë disa nga deputetët e PS-së që janë grupuar në këtë lëvizje dhe kundërshtojnë politikën që ndjek lideri i tyre Rama.