E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi i LSI: Protesta e opozitës dështim

Autori i Lajmit: Redaksia
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje për protestën tre ditore të organizuar nga opozita duke e quajtur atë një dështim. “Protesta gjoja treditore e Edi Ramës ishte një dështim i qartë në sytë e të gjithë shqiptarëve. Deklaratat haluçinante për pjesëmarrje të ëndërruar prej mijëra vetësh, por që nuk ishin aspak të verifikuara në shesh, nuk e mbuluan dot dështimin dhe falë medias të lirë dhe të pacensuruar nga Rama, shqiptarët nuk e patën të vështirë të vlerësojnë vetë se çfarë ndodhi në rrugën para Kryeministrisë”, - tha anëtari i Kryesisë së LSI-së, Dritan Ylli. Sipas tij edhe sondazhe serioze siç ishte ai i Zërit të Amerikës, ku 76 për qind të shqiptarëve ishin kundër protestës dhe bojkotit, është një dëshmi e qartë e refuzimit kategorik që shqiptarët ju bëjnë ekstremizmave anti-integrim. Anëtari i kryesisë së LSI-së ka pohuar se butaforia e kësaj proteste, ku kauza e vetme është dhunimi i shtetit ligjor, përmes gjoja kërkesës për hapjen e kutive, e cila shkon në kundërshtim me ligjshmërinë e procesit, si rrjedhojë nuk përçoi një motiv frymëzues tek shqiptarët, të cilët janë dëshmitarë se Edi Rama vetë i hapi kutitë, vetë i numëroi ato dhe vetë i firmosi dhe i vulosi me 20 mijë komisionarët e tij. “E gjithë kjo është vetëm një përpjekje e marrë e tij, për të nënshtruar shtetin ligjor dhe pavarësinë e institucioneve. Ndaj qytetarët e refuzojnë mashtrimin e tij të sotëm, që është thjesht dhe vetëm në shërbim të interesave thellësisht personale të tij dhe të një klani të ngushtë klientelist që ka përreth”, - tha ai duke pohuar refuzimi ishte provë e qartë se shqiptarët nuk mbështesin antikauzat ekstremiste, që shkojnë kundër integrimit evropian të Shqipërisë. Ylli ka shtuar se antikauza që ka përqafuar Edi Rama dhe të vjetrit e PS, është sot më larg Evropës, sesa edhe vetë Partia Socialiste e vitit 91, ndërsa qytetarët shqiptarë janë më pranë Evropës se kurrë ndonjëherë në historinë e tyre mijëravjeçare.

Ky lajm është publikuar: 23/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›