E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagimi i ministrit Prifti për akuzat ndaj tij në Asamblenë e PS-së

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Dritan Prifti ka reaguar pas akuzave që u bënë ndaj tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, si një nga përgjegjësit kryesor për përmbytjet në veri. Prifti tha se në Asamble u bë një monolog shpifjesh.
"Sot unë kam mbledhur edhe një herë grupin e punës që menaxhon situatën në kaskadën e Drinit për të diskutuar mbi akuzat e fundit që na bëri asambleja e Partisë Socialiste pak orë më parë. Në fakt, ishte absolutisht një monolog shpifjesh. çdo gjë që u tha atje ishte e pamoralshme, shpifje të pandershme, akuza të pabazuara për punën e atyre që kanë sakrifikuar gjithçka për të menaxhuar këtë situatë që kemi kaluar në 2-3 javët e fundit. Të gjitha të dhënat që u përdorën në atë asamble gjoja në një prezantim profesional, ishin të dhëna të cilat ua kemi dhënë ne të gjithëve. Pra ishin të dhëna të cilat kanë qenë bërë publike nga grupi i punës, nga OST-ja, KESH-i. Unë e kam ftuar prej disa ditësh tashmë kryetarin e Partisë Socialiste në një debat të hapur publik për të sqaruar ballë për ballë, jo me monolog shpifjesh, por ballë për ballë, në një studio televizive, atje ku e zgjedh kryetari i Partisë Socialiste apo ndonjë ekspert i PS-së, për t'i thënë gjërat ashtu siç janë. Megjithatë, aty vazhdon dhe vetëm shpifet. U shpif se komisioni i posaçëm që kërkon rregullorja e shkarkimit të plotave nuk u ngrit. Po bëj publik një dokument, që është i datës 12.6.2006, i firmosur nga ish-shefi i kabinetit të ministrit Ruli, por brenda edhe nga vetë ish-ministri ku ndryshohet një pjesë e rregullores së viti 1988, ku krijohet një komision teknik për të menaxhuar kasakadën e Drinit qëllimisht Erjon Braçe nuk e paraqit këtë informacion, sepse ky informacion hedh dritë mbi të vërtetën. Komisioni i posaçëm nuk ngrihet automatikisht siç e ka kërkuar rregullorja e vitit 1988, por ngrihet vetëm me propozim të këtij sekretariatit teknik. Sipas këtij dokumenti, detyrat e sekretariatit teknik, pika numër 2 thotë: Të kërkojë mbledhjen e komisionit të posaçëm të ngritur në zbatim të rregullores së shkarkimit të plotave për situata që janë në kompetencë të komisionit, etj, etj. Pra, nuk ka më përgjegjësi komisioni për t'u ngritur automatikisht. Po bëj publik urdhrin e ish-ministrit e vitit 2006 dhe rregulloren e këtij sekretariati, ku rrëzohet ngritja e komisionit të posaçëm nga ministri. Bëhet vetëm me kërkesë të këtij sekretariati apo edhe me kërkesë të grupit të punës që unë e kam ngritur që më datë 8 nëntor 2009 pavarësisht se nuk ka pasur kërkesë për të ngritur komision të posaçëm unë kam ngritur këtë grup pune më 8 nëntor, kur niveli i liqenit të Fierzës ka qenë 284.57 metër. Shpifjet janë tepër të ulëta. Më datën 26 dhjetor unë kam dalë në konferencë për shtyp dhe kam paralajmëruar situatën e vështirë për kaskadën, rritjen e prurjeve, dhe mundësinë e përmbytjeve. është për të qeshur kur dëgjon Erjon Braçen që thotë se ka marrë të gjithë informacionin, por vetëm ai i datës 27 dhjetor sipas atij mungon. Dhe a e dini pse i mungon Braçes? Sepse ai vetë e ka fshehur qëllimisht datën 27 dhjetor, sepse në atë datë prurjet kanë shkuar mbi 1100 metër kub ujë në sekondë. Atë ditë që ne kemi filluar shkarkimet prurjet në Fierzë kanë shkuar mbi 1100 metër kub ujë në sekondë dhe sipas rregullores, kur prurjet shkojnë mbi 1100 metër kub ujë në sekondë, pika 3.4, faqe 17 e rregullores së kaskadës së Drinit, niveli i Fierzës mund të shkojë deri në 296.5 metër. T'i hapi sytë mirë Erjon Braçe, sepse nëpër ato është mësuar të gërmojë, por jo të tregojë të vërtetën. Prandaj e fshehu datën 27 dhjetor Erjon Braçe nga prezantimi që bëri para shqiptarëve. Mashtrues ordiner. I keni të gjitha të dhënat e datës 27 dhjetor, ku shihet qartë që prurjet kanë shkuar në 1668 metër kub ujë në sekondë në atë ditë. Në atë rast, ekspertët e specialistët e zotë që kanë drejtuar sekretariatin teknik si edhe grupin e punës, kanë lejuar zbatimin e rregullores, sipas të cilës Fierza duhet të akumulojë pak më shumë brenda nivelit të rregullores për të mos përkeqësuar dhe për të mos shkaktuar përmbytje të jashtëzakonshme për zonën e Shkodrës. Kjo është e vërteta dhe jo ajo që e fsheh Edi Rama me të tjerët që ka nga mbrapa. Lexoje mirë faqen 17 të rregullores Erjon dhe shikoje që nga 27 dhjetor të gjithë këta specialistët punojnë sipas skenarit numër 4 të rregullores. Po ua lexoj fjalë për fjalë: që në çastin që prurjet në Fierzë kalojnë vleftën prej 1100 metër kub ujë në sekondë derisa niveli i Fierzës të arrijë kuotën 295.5 metër absolute apo 296.5 metër relative, ose derisa prurjet të shkojnë deri në 500 metër kub ujë në sekondë, pa arritir kuotë 295.5 metër absolute, shkarkimet bëhen si më poshtë. është zbatuar fije për fije dhe rresht për resht rregullorja, ligjet, vendimet e qeverisë dhe çdo gjë tjetër për menaxhimin e kaskadës. Kaskada e lumit Drin e shpëtoi Shkodrën dhe këtë nuk e kemi thënë vetëm ne. Këtë e kanë thënë edhe ekspertë të huaj, të cilët kanë ardhur në mënyrë totalisht të pavarur, të dërguar nga qeveritë e shteteve të tyre. Ekspertë italianë, ekspertë të digave të mëdha anglezë kanë thënë se kaskada e shpëtoi qytetin e Shkodrës. Kaskada duke grumbulluar aq ujë sa lejon edhe rregullorja evitoi të paktën shkarkimin e 300-400 milionë metër ujë shtesë në Shkodër. Imagjinoni çdo të ndodhte në Shkodër nëse do të ishin shkarkuar edhe 300-400 milionë metër ujë të tjera shtesë. Përmbytjet do të ishin shumë më të rënda dhe këtë dëshironte Partia Socialiste, që atje të bëhej katastrofë, që ne të shkarkonim edhe më shumë ujë se sa kaq. Mirëpo, ne i shërbejmë popullit dhe nuk i shërbejmë Partisë Socialiste, partisë së katastrofave.
U akuzuam se kemi grumbulluar ujin për biznes. Kur shitet energjia dhe harxhohet uji mund të bësh biznes, por jo kur e mban atë për të evituar përmbytjet në Shkodër. është qesharake të akuzosh se është mbajtur uji për biznes. Nëse uji mbahet, nuk konsumohet, nuk prodhohet dhe shitet, çfarë biznesi bëhet? Ne e frenuam ujin edhe për të kufizuar nivelin e lartë të përmbytjeve në Shkodër që erdhën nga një situatë moti e cila përsëritet një herë në 100 vjet. Observatorë botërorë kanë dëshmuar për prurjet e jashtëzakonshme që janë mbledhur në lumin Buna dhe në liqenin e Shkodrës. Observatorë botërorë kanë treguar fryrjet e liqenit, fryrjet e detit, baticat që kanë bllokuar derdhjen në det të Bunës dhe pastaj daljen nga shtrati të saj. Nuk do ta pranojë këtë Erjon Braçe me Edi Ramën. E përsëris, Partisë Socialiste i vjen keq që ne ndikuam dhe e shpëtuam Shkodrën.
Në nëntor, është një akuzë tjetër, nuk keni shitur energji. Unë po ju them që deri pas 20 dhjetorit nivelin i Fierzës ka qenë 285 metër, kur sipas rregullore duhet të ishte të paktën 290 metër. Pra, kemi pasur një nivel 5 metër më pak sesa niveli i rregullores. Kishim në nëntor një rezervë afërsisht 900 milionë kilovat/orë në të gjithë kaskadën e Drinit. 900 milionë kilovat/orë është rreth një muaj e gjysmë konsum tani në dimër, sepse rreth 600 milion kilovat/orë shkon konsumi i një muaji. Si donte Edi Rama, që ne mos të ruajmë rezervën e nevojshme të sigurisë kombëtare për Shqipërinë që të kemi minimalisht një muaj apo një muaj e gjysmë rezervë në kaskadën e Drinit për ta furnizuar vendin me energji, në një kohë kur konsumi shkon në 600 milionë kilovat/orë në muaj. Ata nuk kanë asnjë ekspert të vetëm i cili e kupton se si menaxhohet kaskada e Drinit. Përveç njërit që quhet Andis Harasani dhe që ata e kanë mënjanuar plotësisht, të gjithë të tjerët nuk e marrin vesh fare se çdo të thotë të menaxhosh kaskadën e Drinit. Nëse do kishin një ekspert të vetëm do ta vinin përballë meje ose përballë ekspertëve tanë për t'ia treguar të gjithë popullit të vërtetën, por vazhdojnë të bëjnë monolog. Dëgjova zotin Viktor Doda që ia hidhte fajin specialistëve të sistemit energjetik. Viktor Doda duhet të mbajë mend vitin 2004 kur Andis Harasani ishte në Bruksel, dhe Doda pa vendim të komisionit të posaçëm urdhëroi hapjen e portave të shkarkimit në kaskadën e Drinit. Ne nuk e kemi fajësuar, sepse nuk i kemi hyrë atyre hetimeve. Mund të ketë bërë mirë që ka hapur portat e shkarkimit, por nuk mund të flasë askush me një papërgjegjshmëri të tillë kur nuk kupton as abc-në e menaxhimit të kaskadës.
Na akuzuan se kemi bërë import energjie nga Kosova. Doli drejtori i KEK-ut dhe ministri i Energjisë së Kosovës dhe e përgënjeshtruan atë fakt. E përsëris, ata njerëz që nuk e kuptojnë se çdo të thotë të menaxhosh një sistem energjetik nuk e kuptojnë që për 1 orë ose për 2 orë në ndonjë ditë të caktuar, për shkak të nivelit të konsumit dhe për shkak të mbulimit të pikut mund të na duhet të marrim qoftë edhe një orë energji nga Kosova. Ne kemi një marrëveshje me Kosovën për të shkëmbyer energji, ku në 90-95% të kohës ne i japim energji Kosovës dhe në 5 % të rasteve për shkak të flukseve, gjë që asnjë nga ata të PS-së nuk e ka idenë se si lëvizin, energjia mund të lëvizi në drejtime të ndryshme dhe pa vullnetin e specialistëve të KESH-it dhe të KEK-ut. Me njerëz injorantë nuk mundet të bëhet opozita dhe nuk mundet të ketë besueshmëri për popullin. Na thonë se kemi importuar 20 megavat energji, kur bilanci është 170 milionë kilovat/orë pozitiv për KESH-in. Po 20 megavat i harxhon vetëm godina e ministrisë, kjo është qesharake.
Më kanë akuzuar mua që kam braktisur detyrën se kam ikur me pushime në Turqi. E para, bileta që kanë treguar nëpër televizione është e falsifikuar. Kanë falsifikuar oraret e udhëtimit dhe klasin, gjoja unë kam udhëtuar në biznes klas. Unë kam qenë disa herë në Turqi gjatë muajit dhjetor dhe e ka deklaruar publikisht, që e kam ndjekur situatën dhe i kam dhënë porosi zv.ministrit për të nxjerrë urdhra të posaçëm kur unë nuk kam qenë në Shqipëri. Një urdhër prej të cilëve unë edhe mund t'ua tregoj e që është i datës 27 dhjetor. Nuk kam qenë në Shqipëri në atë datë, por në mungesë dhe me porosi, zv/ministri zoti Beqiri ka firmosur urdhrin tim. Siç e thashë, kam qenë disa herë në Turqi gjatë muajit dhjetor për arsye familjare shëndetësore me lejen e kryeministrit dhe duke lëshuar urdhrat e posaçëm këtu për të menaxhuar situatën në mungesën time. Edhe sot që flasim babai dhe nëna ime janë në Turqi, sepse dje (të shtunën) babai im ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Janë edhe sot në spital në Turqi. Ata që merrem me verifikimin e biletave le të dalin e t'i verifikojnë biletat e prindërve të mi, a janë apo jo në Turqi. Nuk kam moralin e Edi Ramës, që kthehet në Shqipëri vetëm për ta varrosur babanë. Unë do ta ndihmoj e do ta mbështes tim atë sa të jetë gjallë çdo minutë e çdo orë. Nuk kam moralin e Edi Ramës, që ta nxjerr nënën në mes të natës me shkelma nga shtëpia. Nuk ka për të ndodhur kjo. Nuk kam moralin e Edi Ramës të braktise familjen në mënyrën se si e ka braktisur ai, të akuzoj fëmijën tim. Në vitin 2000 unë kam qenë dëshmitar personal kur Ilir Meta e ka thirrur Ramën përpara se të kandidonte për kryetar bashkie të Tiranës dhe i ka thënë: duhet të shkosh e të takosh fëmijën tënd, të cilin nuk e kishte takuar asnjëherë për 13 vitet e para të jetës së djalit. I ka thënë Ilir Meta se nëse nuk do takosh djalin tënd nuk do të jesh kandidat i PS-së për Bashkinë e Tiranës. Ilir Meta ka dërguar njerëz në shtëpinë e ish-gruas së Edi Ramës dhe djalit, për t'u pajtuar ata me Ramën. Unë këte moral nuk e kam dhe nuk do ta kem kurrë. Nuk mund të më akuzoje mua njeri për gjëra të tilla. Po ju them se edhe Erjon Braçen e kam ndihmuar jashtë mase. Nuk dëshiroj të hyj asnjëherë në çështjet familjare ndaj asnjërit, por po i them Erjonit publikisht. Nëse edhe një herë tjetër do më bjerë në qafë mua apo këtyre njerëzve që punojnë me ndershmëri 24 orë në ditë, unë do t'i tregoj gjithë publikut shqiptar pse nusja e Erjon Braçes, në atë kohë sekretarja e Metës dhe vartësja ime kur kam qenë shef kabineti i Ilir Metës, u largua nga puna nga kryeministria. Ky është mllefi i Erjon Braçes, që vazhdon e shpif kundër meje dhe kundër gjithë këtyre njerëzve që punojnë me përkushtim. Nuk kam për ta toleruar, deri tani kam dashur të ruaj familjen e tij, nuk kam ndëhyr, por këtë mllef nuk e duroj. Atëherë do t'ia tregoj të gjithë shqiptarëve pse e kemi larguar nga puna dhe pse pastaj i jam lutur unë Ilir Metës që t'i japim një letër rekomandimi pozitive që të fillonte punë në OSBE. Nuk ka më tolerime me këta njerëz që vetëm shpifin, që kërkojnë katastrofë për shqiptarët, me këta njerëz që përpiqen të pengojnë Shqipërinë, çdo orë dhe çdo ditë me çdo veprim që bëjnë, integrimin e vendit në Evropë. Me këta njerëz që vetëm braktisin, duhet të kemi vetëm të vërtetën pa u stepur për asnjë çast përpara të vërtetës. Prokuroria ka filluar të merret me këtë çështje dhe besoj se e vërteta do të dalë shumë shpejt", përfundoi fjalën e tij Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›