E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi/Qeveria do të përmbushë detyrimet ndaj qytetarëve bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit

06-07-2013 / Gazeta 55

Pretendimi për qeveri kujdestare, Mëhilli: Kërkesa e Ramës antikushtetuese


“Kryeministri i kërkon zotit Rama të heqë dorë nga kërcënimet dhe sulmet ndaj institucioneve kushtetuese dhe siguron qytetarët se qeveria në detyrë do vazhdojë normalisht përmbushjen e detyrimeve të saj dhe se Kushtetuta dhe institucionet e vendit nuk do mund të pengohen, as edhe të ndikohen nga revanshi i papërmbajtur i tij ndaj tyre”. Ky ishte qëndrimi i ardhur sot nga Kryeministri Berisha, lidhur me pretendimet e drejtuesve të majtë. Përmes zëdhënëses së tij, Erla Mëhilli, kreu i mazhorancës ka sqaruar bazuar në të drejtën që i jep Kushtetuta e vendit mbi të gjithë veprimtarinë në krye të ekzekutivit. “Këto ditë, zoti Edi Rama, kryetar i mazhorancës së re, ka ndërmarrë sulme dhe kërcënime ndaj institucioneve kushtetuese të vendit, veprimtarisë normale të qeverisë, vendimeve të saj. Lidhur me këto qëndrime, shprehje e një revanshi të papërmbajtur të zotit Rama, sqarojmë se Kushtetuta, me nenet e saj 65; 67; 96; 99, përcakton shumë qartë datën e fillimit dhe mbarimit të mandatit të një mazhorancë dhe kryeministrit të saj”, u shpreh Mëhilli, gjatë deklaratës së saj për shtyp.  Po në këtë linjë, ajo sqaroi se sipas nenit 65 të Kushtetutës, mandati i Kuvendit përfundon të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë dhe data e mbledhjes së parë është data 7 shtator 2009 dhe sipas nenit 67 të saj, Presidenti i Republikës mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës. Pra, Kuvendi i ri nuk mund të mblidhet para datës 7 shtator. Gjithashtu, në këtë deklaratë për shtyp, Mëhilli risolli në kujtesë faktin se sipas nenit 96 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës emëron kryeministrin, pra, pasi mblidhet Kuvendi i ri dhe ky i fundit, sipas nenit  99 të saj,  para fillimit të detyrës bën betimin para Presidentit të Republikës, çka do të thotë  se  mandati i kryeministrit  mbaron pas betimit të pasardhësit të tij. Pra, kjo qeveri ka mandat të plotë Kushtetues  për të ushtruar pushtetin e saj ekzekutiv në zbatim të programit për të cilin është  votuar  gjer ditën e fillimit të mandatit të mazhorancës së re. Të gjitha vendimet e qeverisë janë dhe do jenë  në përputhje me programin e saj të mandatit që ushtron dhe  të bazuara  në Kushtetutën dhe ligjet e vendit. “Antikushtetuese dhe dëshmi e revanshit të papërmbajtur janë sulmet,  kërcënimet e zotit Rama ndaj institucioneve të vendit. Antikushtetues është  pretendimi i tij për qeveri kujdestare. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e asnjë vendi në Europë, por dhe thuajse në tërësi, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, nuk njohin e nuk parashikojnë qeveri kujdestare, të lidhura me zhvillimin e zgjedhjeve. Ky kuadër ligjor ekziston i sanksionuar në Kushtetutën  e Bangladeshit, e cila 3 muaj para zgjedhjeve  i jep kryesimin  e qeverisë kujdestare kryetarit të Gjykatës Kushtetuese  dhe tepër rrallë në ndonjë vend tjetër, mbi bazë ligjore të përcaktuar mirë”, vlerësoi zëdhënësja e Kryeministrit, lidhur me një çështje të tillë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›