E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagojnë ndërtuesit e PS-së: Akuzat e Kryeministrit, shpifje

TIRANE-Deputetët socialistë të akuzuar nga kryeministri Berisha për përfitim të lejeve të ndërtimit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i kanë cilësuar ato, shpifje. Të pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, deputetët Dashamir Peza, Sadri Abazi dhe Fidel Ylli kanë sqaruar të vërtetën mbi aktivitetet e tyre. Ndërkohë në mbledhjen e djeshme, kryetari i PS-së, Edi Rama u kërkoi publikisht këtyre deputetëve që ta padisin menjëherë “Sali Berishën në gjykatë, pa iu ndarë për asnjë shpifje, një për një, dhe pa e falur kur t’iu dërgojë, siç e ka zakon, njerëz për të mbyllur çështjen gjyqësore se me demek, kështu e paska politika”.

Dashamir Peza, i cili u akuzua nga Berisha se kunati i tij, Ilir Mata është favorizuar në tenderat e pastrimit të Tiranës apo se ka përfituar rreth 21 mijë metra katror sheshe ndërtimi. Ai shprehet se “nuk kam ndërtuar as edhe një tullë në Tiranë. Nëse vërtetohet që kam hedhur edhe një tullë, atëherë ia fal Berishës. Jam gati të bëj edhe një deklaratë noteriale për t’ia kaluar atë si pasuri Argitës”, - u shpreh deputeti socialist për GSH.

Nga ana tjetër, deputeti Sadri Abazi sqaroi se “për vitin 2008-2009 nuk kishte asnjë leje ndërtimi të marrë nga unë. Ato leje ndërtimi janë marrë në vite të shkuara”. Sipas Abazit, ndërtimet janë bërë në toka të pronarëve, sepse firma e tij ua ka marrë me përqindje këtyre pronarëve. “Nuk kemi asnjë metër katror pronë tokë shtetërore bazuar në të gjitha rregullat e studimet franceze të miratuara e të kaluara prej kohësh nga KRTRSH-ja”, - sqaroi deputeti socialist.

Akuzat e Berishës në adresë të tij i ka sqaruar edhe Fidel Ylli. “Mos ia merrni seriozisht ato që thotë, se i ka të gjitha për fushatë. Nuk janë të vërteta. Ai më do shumë mua. Më do jashtë mase dhe e ka tmerr që nuk jam në krahun e tij, meqë kam punuar disa vite me qeverinë “Meksi” dhe do të donte që të më kishte në krah, por nuk është faji im”, - u shpreh ai me ironi. Deputeti socialist sqaroi se “ka 5 vjet që unë kam lënë çdolloj biznesi dhe çdolloj ndërtimi”. “Një ndërtues gjen një tokë private dhe shkon e ndërton në bazë të të gjitha rregullave të lojës; nëse ai ka ndonjë paqartësi t’i drejtohet Prokurorisë, por janë të gjitha shpifje dhe trillime”, - theksoi deputeti i PS-së.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›