E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon Komuna: Akuzat ndaj Isa Mustafës, të pa baza

Komuna e Prishtinës, përmes një komunikate ka reaguar pas një hulumtimimi të bërë nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese “Preportr”.

Sipas, Komunës së Prishtinës ky hulumtim shpreh një qasje politike qendrës "Preportr" dhe financuesve të saj.

“Hulumtimi në asnjë rast nuk është marrë me çështjet e respektimit apo mosrespektimit të ligjit nga ana e zyrtarëve të komunës së Prishtinës, por trajton anën politike të problemit, shikuar me syzat politike të kësaj Qendre dhe financuesve të saj.
Komuna e Prishtinës bizneset i konsideron si kategori ekonomike, e jo kategori politike, ashtu siç mundohet t’i klasifikojë kjo Qendër. Me ligj, në asnjë rast nuk mund të diskriminohen bizneset dhe të mos u jepen kontrata nëse ato i plotësojnë kushtet ligjore, duke u nisur nga paragjykimet se pronarët apo menaxherët e tyre janë anëtarë, simpatizantë apo financues të ndonjë subjekti politik”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Komuna e Prishtinës ka vlerësuar që hulumtimi i kësaj Qendre nuk nxjerr në pah asnjë shkelje ligjore të konstatuar nga organet kompetente gjatë procedurave dhe dhënies së tenderëve publik në këtë komunë.

“I gjithë mundi I tyre “hulumtues” është orientuar në klasifikimin politik të kompanive që kryejnë punë, pa theksuar se mbi çfarë baze dhe mbi çfarë të drejte ata bëjnë klasifikime të tilla, me të cilat e dëmtojnë emrin e kompanive individuale. Punë kryerësit në këtë komunë tenderët I kanë fituar mbi baza ligjore, ndaj asnjërit nga punë kryerësit që apostrofohen në këtë hulumtim nuk ka pasur ndalesa ligjore apo kufizime të tjera ligjore për t’iu dhënë puna”, thuhet më tej në komunikatë.

Komuna e Pirshtinës e ka quajtur skandaloze, jo dinjitizoe dhe joligjore portretizimin në atë mënyrë të kryetarit Isa Mustafa.

Pos tjerash, komuna i’a ka kujtuar financuesve projektit se z. Mustafa është zgjedhur kryetar i Komunës së Prishtinës me 57% të votave të qytetarëve në rundin e parë në zgjedhjet e fundit lokale dhe se kjo është baza e vetme sipas së cilës ai është zgjedhur kryetar i Komunës.

Komuna ka hedhur poshtë konstatimet e hulumtimit se familja e kryetarit të Komunës është e implikuar në ndonjë raport me kompanitë që kryejnë punë për Komunën.

“Tentativat e kësaj Qendre dhe të financuesve të saj për të përgojuar familjen e ngushtë të Kryetarit të Komunës janë të pa baza. Në asnjë rast ky hulumtim nuk ka konstatuar se familja e kryetarit të Komunës është e implikuar, e lidhur apo në ndonjë raport me kompanitë që kryejnë punë për Komunën. Punët në të cilat punojnë familjarët e kryetarit Mustafa, në asnjë rast nuk kanë qenë të lidhura me atë të Komunës së Prishtinës. Përgojimi dhe tentativa për denigrim familjar është një gjest i ulët, flet për motive të ulëta të kësaj Qendre dhe të financuesve të saj”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, Komuna ka thënë do të kërkoj sqarime nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese dhe nga financuesit e saj që të sqarojnë bazueshmërinë ligjore të veprimeve të tyre për klasifikimin politik të bizneseve dhe për sulmet ndaj figurës së Kryetarit të Komunës dhe familjes së tij.

“Pavarësisht etiketimeve të tilla, Komuna e Prishtinës do të vazhdojë edhe më tutje ta zbatojë ligjin dhe punët publike t’ua besojë bizneseve sipas kritereve ligjore dhe jo mbi baza të diskriminimit politik, siç pretendon kjo Qendër dhe financuesit e saj”, përfundon komunikata ./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›