E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Vizita e Baroneshës Ashton mund të lëvizë gjërat përpara

Kryeministri Hashim Thaçi në hapje të mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës ka folur për aktualitetin politik në vend, me theks të veçantë rreth bisedimeve Prishtinë-Beograd në Bruksel..

“Ne dje në Kuvendin e Republikës së Kosovës kemi prezantuar raportin për takimin e radhës në Bruksel me kryeministrin serb Ivica Daçiq,. Dëshiroj të falënderoj shumicën e partive politike për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për këtë proces të rëndësishëm të normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore për fqinjësi të mirë. Në të njëjtën kohë dua të theksoj se tash jemi në fazë të rëndësishme apo përfundimtare të këtij procesi për arritjen e marrëveshjeve përfundimtare në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Sonte në mbrëmje dhe nesër paradite, baronesha Ashton do të qëndrojë në Republikën e Kosovës, ku është planifikuar që të ketë takime më bartësit e institucioneve të Kosovës dhe me një pjesë të liderëve politikë.

Sa i përket Prishtinës, gjithçka është e qartë. Qëndrimet tona kanë qenë, janë dhe do të mbeten plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me ligjet tona dhe me standardet evropiane.

Përkushtimi ynë maksimal është normalizimi i gjendjes në veri; fillimi i funksionimit të jetës normale; shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave të sigurisë në këtë pjesë të vendit; krijimi i kushteve dhe rrethanave të përshtatshme për lëvizje të lirë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës; fillimi i funksionimit të sistemit të drejtësisë sipas legjislacionit kosovar; dhe në të njëjtën kohë, krijimi i kushteve të përshtatshme për organizmin e zgjedhjeve të lira në katër komunat veriore të vendit tonë në kohën kur do të organizohen zgjedhjet e përbashkëta në gjithë Kosovën për nivelin lokal.

Zgjedhjet do të organizohen me ftesën tonë, nga OSBE-ja, por do të certifikohen nga KQZ-ja. Pastaj do të formohet edhe një asociacion i komunave me shumicë serbe, një asociacion, i cili do të ketë rregulloren e vetë të punës në baza vullnetare të bashkëngjitjes së çdo komune dhe shkëputjes në të njëjtën kohë, por gjithmonë pa asnjë mandat legjislativ dhe ekzekutiv apo të pushtetit të tretë.

E theksoj edhe njëherë se vizita e baroneshës Ashton është inkurajuese për Prishtinën dhe natyrisht do të jetë një vizitë e cila besoj që do të mund të lëvizë gjërat përpara, që të ndodhin këto marrëveshje më herët, por me theks të veçantë ne do të fokusohemi edhe në periudhat kohore të implementimit të të gjitha marrëveshjeve ndërshtetërore dhe mekanizmat implementues, edhe KFOR-i, edhe EULEX-i, edhe institucionet e Kosovës me mbështetjen e plotë ndërkombëtare, domethënë të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Unë sot kam zhvilluar një bisedë telefonike me z. Philip Reeker. Është një mbështetje e vazhdueshme e SHBA-së për tërë procesin që po e zhvillojmë. Dua të potencoj përsëri, se edhe deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Nikoliq, kanë qenë deklarata për të kënaqur opinionin e vet të brendshëm, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe nga deklaratat e tij. E kam theksuar dje dhe e ritheksoj edhe sot, janë deklarata të mentalitetit të politikës së vjetër të Beogradit, që japin deklarata të ndryshme në rrethana të ndryshme, kur janë edhe të periudhave, siç e theksova edhe dje, nga Beteja e Kosovës, Rambuje,

Marrëveshja e Kumanovës e deri në ditët e sotme. Por, sot është një rrethanë e re, jemi vende të pavarura dhe sovrane, synimi dhe qëllimi ynë është që të kemi fqinjësi të mirë si dy vende sovrane të integrohemi në NATO dhe BE, e për Kosovën të ketë lëvizje edhe për anëtarësim edhe në OKB. Prandaj, hymë më vullnet dhe përgjegjësi në këtë drejtim që të normalizojmë gjendjen në veri, por edhe raportet tona ndërshtetërore”,ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e hapjes së mbledhjes së Qeverisë së Kosovës./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›