Reagon Ministria e Ekonomisë: “Zona e Rubikut është e kontaminuar”
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i konsideron si të pavërteta “faktet” e botuara ditën e shtunë në një gazetë të përditshme mbi “aferën e mbetjeve të rrezikshme të Rubikut”.
1. METE sqaron se ky projekt, që financohet nga Programi CARDS 2004 i Komisionit Europian, është propozuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Në kufi me territorin e ish-Uzinës së Bakrit në Rubik janë grumbulluar mbetje të rrezikshme helmuese si mbetje të bakrit, kromit dhe plumbit, afërsisht 4600 tonë (sulfat bakri dhe skorie bakri të kontaminuara), të patrajtuara prej vitesh dhe në gjendje pluhuri, të cilat përbëjnë rrezik për popullatën, që ekspozohet ndaj tyre nëpërmjet të gjithë faktorëve ndikues atmosferikë. Këto mbetje kanë shkaktuar kontaminim në tokë, ujërat nëntokësore, madje edhe vetë në lumin Fan. Analizat e këtyre mbetjeve janë bërë nga ekspertët mjedisorë të Komisionit Europian. Kjo fabrikë, apo territori i saj, nuk janë pjesë e ndonjë kontrate koncesionare dhe aty nuk zhvillohet asnjë aktivitet prodhues. Këto mbetje nuk kanë asnjë vlerë përdorimi. Nëpërmjet projektit të Komisionit Europian, këto helme të rrezikshme do të trajtohen dhe groposen në një “landfill” pikërisht në vendin ku ato janë dhe sipërfaqja më pas do të gjelbërohet. Ky projekt kap vlerën e 4.4 milionë eurove dhe është kontribut i taksapaguesve europianë. Punimet kryhen nga kompania “Starbag AS”, një ndër më të mirënjohurat në trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në nivel europian.
2. Një projekt i tillë, i ngjashëm, po ndërmerret edhe në Uzinën e Laçit, ku po nëpërmjet ndërtimit të një “landfill” do të trajtohet dhe groposet një sasi e konsiderueshme e arsenikut. Po kështu do të veprohet edhe në Vlorë, në zonën e PVC-Sodës.
3. Hot Spote të tilla në Shqipëri ka shumë, dhe për fat të keq qytetarët vendorë mbeten të ekspozuar. METE gjen rastin të falënderojë Komisionin Europian për kontributin dhe ndihmën e dhënë për përpunimin dhe asgjësimin e këtyre mbetjeve të rrezikshme.
22 Prill 2008