Reagon Salustro: Nuk jam antishqiptar

Duket sikur është i pasionuar në ndjekjen e ish-njerëzve kryesorë të UÇK-së. Pas Fatmir Limajt dhe të tjerëve në rastin “Kleçka”, Mauricio Salustro është kapur edhe pas Sami Lushtakut e Sylejman Selimit të grupit “Drenica”. Ata të gjithë po akuzohen se kanë bërë krime lufte në Kosovë, kur ishin liderë të UÇK-së.
Italiani që po i ndjek ata është akuzuar se po heton vetëm shqiptarët dhe UÇK-në. Por Salustro, në një intervistë tha se ai dhe misioni i EULEX-it, për të cilin punon, nuk po bëjnë drejtësi selektive, transmeton Shekulli online.
“Nuk është e vërtetë se ne po hetojmë vetëm shqiptarët, e vërteta është se kur të dyshuarit janë serb, në shumicën e rasteve ata jetojnë në Serbi, dhe kështu ne nuk mund t’i kapim”, tha Mauricio Salustro, prokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës . Prokurori që flet rrallë për mediet tha që nuk ka asgjë personale me Fatmir Limajn, Sami Lushtakun, Sylejman Selimin dhe të tjerët.
Salustro, të shtunën ishte pjesë edhe e një paneli ku u fol për gjykimin e krimeve. Me këtë rast ai tha se njerëzit e drejtësisë në Kosovë kanë telashe për sa u përket rasteve të rënda.