“Ngjallën” të vdekurit për votime

Kanë ndërruar jetë vite më parë, por emri i tyre ekziston akoma në listën e zgjedhësve. Ferat Zhdrella, Osman Gajtani, Ajmone Hysenaj e Petrit Sherifi, tashmë të ndjerë janë vetëm disa nga emrat, të cilët figurojnë në web-site e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Familjarët e tyre ndonëse në shtëpi i kanë certifikatat e vdekjeve të të afërmve të tyre, emri i tyre nuk është fshirë. Kjo tregon më së miri se KQZ-ja nuk ia ka dalë që t’i pastrojë tërësisht listat e zgjedhjeve, emrat e personave të cilët kanë vdekur. Ky institucion është arsyetuar se mund të ketë lëshime në disa raste, por shumica e listave tashmë janë pastruar derisa thonë se listat janë të përpiluara nga regjistri civil.
Sipas KQZ-së, ndodh që çdo ditë të vdesin njerëz dhe të shtohet numri i atyre që mbushin 18 vjet dhe nga kjo situatë, mund të ikë ndonjë emër. Një situatë e tillë ngre shqetësime për partitë opozitare, të cilat frikësohen se mund të përsëritet ngjarja e zgjedhjeve të kaluara, duke u manipuluar me votat e votuesve. LDK-ja vlerëson se KQZ-ja ka arritur të heqë nga lista 30 mijë emra, megjithatë lista mund të mos jetë e pastruar tërësisht. Lëvizja e Albin Kurtit, Vetëvendosje, kujton marrëveshjen tripalëshe Thaçi - Mustafa – Pacolli, sipas së cilës ekskluzivisht do të merreshin me zgjidhjen e problemeve të procesit zgjedhor, por kjo, thotë VV-ja nuk ka ndodhur. Ndërkaq, AAK-ja frikësohet se kur po afrohen zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, mospastrimi i listave do të lë hapësirë për manipulim të votave, transmeton KTV./Indeksonline/