Reagon Spanja pas lirimit nga gjykata, rikapet Astrit Bushi
Vetëm pak ditë më parë, në fshehtësi, është liruar nga burgu Astrit Bushi, i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e një polici në Laç, por edhe i kërkuar nga Interpol për grabitje me dhunë në Spanjë. Por, lirimi i tij ka rënë në vesh të drejtësisë spanjolle, ndërkohë që media e këtij vendi ka kritikuar ashpër drejtësinë shqiptare, duke cituar se: “Astrit Bushi është liruar për t’u kujdesur për fëmijën, pasi e shoqja nuk kishte mundësi financiare”. Por, vetëm dy ditë pas reagimit spanjoll, ai është arrestuar prapë nga policia shqiptare, për të njëjtën vepër penale që u arrestua në qershor të vitit 2009. Arrestimi i 32-vjeçarit ka qenë po i njëjti me 18 muaj më parë. Forcat RENEA, me tre mjete civile, e kanë rrethuar mjetin e Bushit në qendër të Laçit duke e bllokuar. Ai ka tentuar të largohet, duke përplasur mjetet civile të forcave speciale, por është arrestuar. Pas kapjes, atij i është gjetur edhe një pistoletë “Beretta”. Sipas të dhënave, edhe më 7 qershor të vitit 2009 ai u kap nga forcat speciale, ku iu gjet një pistoletë. I njohuri si “tmerri i VIP-ave” në Spanjë, u arrestua në atë kohë pasi kërkohej nga Spanja për vjedhje me dhunë, ku një ndër viktimat e tij ishte edhe Jose Luis Moreno, producent televiziv dhe aktor i njohur në Spanjë. Gjithashtu, ai u dyshua edhe për vrasjen e policit të FNSH-së, Astrit Balozi, më 8 mars 2001, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e vëllait të tij. Astrit Bushi, në fund të vitit 2009 mori pafajësi nga Gjykata e Lartë për vrasjen e Balozit, megjithëse mbeti në qeli për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, drejtësia shqiptare priste dosjen për ekstradimin e tij. Por, pak ditë më parë, Gjykata e Lezhës ka dhënë vendimin për lirimin e Bushin, me pretendimin se gruaja nuk kishte mundësi financiare për mbajtjen e fëmijës së tyre. Në këto kushte, lajmi është mbajtur i fshehtë, por ka rënë në vesh të shtetit spanjoll. Kështu, tri ditë më parë reaguan gjithë mediat spanjolle, duke kërkuar shpjegime nga drejtësia e tyre për lirimin e Astrit Bushit, i cili në vitin 2007 u arratis nga një gjykatë, duke përfituar nga pakujdesia e policisë së atjeshme. Në këto kushte, Spanja i ka kërkuar qeverisë shqiptare të dhëna se si ka ndodhur ky lirim, ndërkohë që aktualisht është në proces një kërkesë për ekstradimin e tij në Spanjë. Kjo ka sjellë shkresat për policinë shqiptare, që brenda 48 orëve ka organizuar operacionin “Arbusto 2” për ta rivënë në pranga Astrit Bushin. Gjithashtu, veç dyshimeve të mëparshme, sidomos për vrasjen e policit, për të cilën është shpallur i pafajshëm, policia shqiptare vuri në dijeni se ai kërkohet edhe nga drejtësia italiane për trafik droge. Po ashtu, ka nisur hetimi për të parë sesi ka ardhur lirimi i Bushit dhe rrëzimi i të gjitha akuzave.