Patos, rikthehen debatet në këshillin bashkiak
Rihapen debatet në Këshillin Bashkiak të Patosit. Ashtu si një vit më parë, shkak është bërë kërkesa për shkarkimin e kreut të këshillit bashkiak. Rihapja e debateve vjen pas një periudhe dymujore qetësie dhe konsensusi midis këshilltarëve të djathtë dhe të majtë. Shkak i debateve të radhës është bërë mosfutja në rendin e ditës të disa kërkesave të bëra nga këshilltarët e majtë. Mazhoranca e këshillit PD-LSI-PDI ka miratuar vetëm pikën e ndihmave ekonomike, ndërkohë që përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë kërkuar miratimin e paketës fiskale, si pjesë kjo e buxhetit të vitit 2010. Pas shumë debatesh, këshilltarët e majtë kanë marrë vendimin për të kërkuar mocion votëbesimi për kryetarin e këshillit, Leonard Behaj. Gjithashtu, mocioni i votëbesimit është kërkuar edhe për nënkryetarin e këshillit si dhe për sekretarin, që sipas këshilltarëve të PS-së kanë shpërdoruar detyrën, pasi kanë zhvilluar disa mbledhje pa praninë e këshilltarëve të majtë dhe madje pa njoftuar këta të fundit për zhvillimin e mbledhjes së këshillit. “Këshilltarët e majtë kanë vendosur të mos lejojnë mbajtjen e mbledhjes së këshillit, pa plotësuar më parë kërkesën e tyre për zhvillimin e mocionit të votëbesimit. Ky këshill është kapur në flagrancë duke shkelur ligjin. Është mbledhur këshilli në mospërputhje me ligjin dhe duke shkelur procedurat”, ka thënë kryetari i bashkisë, Bardhi Meli, i cili mbështet këshilltarët e Partisë Socialiste. Ndërkohë që ish-kryetari i këshillit, Maksim Goga, sot kryesuesi i këshilltarëve të majtë ka thënë se janë nëntë këshilltarë ata që kanë vendosur të zhvillojnë një mocion votëbesimi për kryetarin Leonard Behaj. Ky i fundit është shprehur mosbesues ndaj firmave të mbledhura për mocionin e votëbesimit të tij. Ai ka thënë se në listën me firma që i është depozituar, ndodhen edhe disa firma të falsifikuar veprim të cilin ai e ka çuar në prokurorinë e rrethit. Këshilli bashkiak në Patos prej më shumë se një viti është përfshirë nga debatet politike, të cilat janë shoqëruar me mosmiratim të buxhetit. Kjo ka bërë që prej 4 muajsh, të mos jepet ndihma ekonomike për familjet e varfra.