E Diel, 1 Nëntor 2026

Protestuesit thyejnë derën e Kryesisë së Kuvendit, flakë rreth e rrotull kryeministrisë. Prej dy orësh ndeshje me policinë nën zyrën e Ramës

Protesta në Tiranë është përshkallëzuar edhe më tej pasditen e sotme, pasi protestuesit kanë thyer një nga dyert anësore të godinës së Kryesisë së Kuvendit, përballë Kryeministrisë, dhe kanë hyrë në ambientet e brendshme, ku raportohet se kanë shpërthyer flakë.

Pamjet tregojnë tym që ka përfshirë ambientet e godinës ku ndodhen zyrat e deputetëve, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe policisë vijojnë me intensitet të lartë në zonën përreth Kryeministrisë.

Sipas pamjeve të siguruara nga fotoreporteri i SYRI-t, Felix Bilani, protestuesit kanë goditur me gurë godinën e qeverisë. Ndërkohë, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topin e ujit në përpjekje për të shpërndarë turmën.

Tensionet janë përhapur edhe brenda perimetrit të rrethimit të Kryeministrisë, ku disa pemë kanë marrë flakë. Tymi dhe zjarri kanë rënduar situatën në bulevardin kryesor të kryeqytetit, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë përballë godinës së qeverisë.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet ndërhyrja e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›