E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real Madrid 4-1 me SHBA

Një Galaksi ishte në fushë, por galaktikët që fituan ishin të tjerë. Reali i Madridit mundi 4-1 skuadrën Galaksi të Los Anxhelosit, ekip ku luan edhe anglezi i famshëm Dejvid Bekam, përballje e luajtur në stadiumin e famshëm “Koliseum”. Skuadra madrilene shkëlqeu duke treguar me prepotencë se kërkon të jetë një anti-Barcelonë e suksesshme në sezonin që pritet të fillojë në Spanjë dhe Europë.

Në asnjë moment galaktikët e Murinjos nuk e vunë në dyshim fitoren, madje i riu Kajehon debutoi me gol duke shënuar për 1-0 që në minutën e 31-të pas topit të marrë nga braziliani Kaka.

Nëntë minuta më pas Hoselu shënoi golin e dytë për spanjollët, ndërsa topi i gjuajtur prej tij u devijua nga Dejvid Bekam për në rrjetën e portës së tij.

Kristiano Ronaldo nuk mund të rrinte pa e treguar veten dhe në nisje të pjesës së dytë, në minutën e 53-të, portugezi e shënoi golin e tij pas disa veprimeve të bukura. Ditë e lumtur për Ronaldon, ndërsa pak orë më herët kishte qenë një hidhërim i madh për Lionel mesin. Madridi ishte në epërsi 3-0, por kjo ndeshje nuk do të përfundonte me kaq.

Pesë minuta pas golit të Kristianos, portugezi tjetër, Koentrao i ardhur nga Benfika krijoi golin e katërt të shënuar nga francezi Karim Benzema që realizoi me kokë për 4-0.

Gjashtëdhjetë e dy minuta në fushë ishin mjaft për Bekamin i cili u zëvendësua dhe shkoi të përshëndetej përtej vijës anësore nga Murinjo, duke treguar një respekt të ndihmuar edhe nga atmosfera miqësore e ndeshjes verore.

U desh të kalonin 68 minuta për Galaksi të arrinte të shënonte një gol, në portën e mbrojtur nga Antonio Adan dhe kjo u bë nga Kristman që goditi me kokë pas një topi të kthyer nga portieri.

Me kaq ndeshja përfundoi, trajnerët Murinjo dhe Brus Arena shtrënguan duart, ndërsa Reali i Madridit shpreson që sezoni të jetë më i mirë sesa ai që shkoi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›