E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për shkak të fitores, e harron lëndimin

Nga Express më 17 korrik 2011 në ora 21:01

Astrit Ajdareviçit i ka kushtuar me lëndim dhe paterica fitorja e parë e Norrkopingut pas 12 ndeshjesh.

Mesfushori kosovar e ka lënduar këmbën, në ndeshje me Syrianskan, të cilën ekipi i tij e fitoi 2:1, të shtunën mbrëma.

“E kam ndrydhur këmbën besoj. Ndieja se nuk ishte diçka në rregull, por vazhdova të luaj. Kjo nuk ishte në rregull”, tha Ajdarevic për uebfaqen suedeze fotbolldirekt.se.

Ish-futbollisti i Liverpoolit u lëndua në këmbën e majtë kah mesi i pjesës së parë, ndërsa pasi filloi pjesa e dytë, ia lëshoi vendin të riut Christoffer Nyman.

“Të hënën ose të martën do ta fotografoj, kështu që ende nuk e di se sa do të mungoj”, vazhdoi Ajdareviç, i cili u desh të largohej nga stadiumi me paterica.

Por, ish-përfaqësuesi U-21 e harroi lëndimin, pasi që po e shijon fitoren e madhe të skuadrës së tij. Golat për Norrkopingun i realizuan Martin Smedberg-Dalence dhe futbollisti tjetër kosovar, Shpëtim Hasani.

“Skuadra arriti një rezultat të jashtëzakonshëm. Jam mjaft i lumtur. Po mundohem ta ndihmoj klubin. Të gjithë së bashku e marrin iniciativën për t’iu rikthyer rezultateve pozitive”, përfundoi Ajdarevic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›