E Diel, 1 Nëntor 2026

Real Madrid nis tentativën për të marrë Ançelotin

Tashmë duket se gjithçka është çështje ditësh. Pas fitimit të titullit kampion në Francë me Paris SG, Karlo Ançeloti është gati të kalojë te Real Madrid dhe bisedimet kanë nisur. Këtë e pohon edhe pronari i klubit parisien Nasser al-Khelaifi, që në një intervistë të dhënë për të përditshmen sportive franceze “L’Equipe”, 24 orë pas fitimit të titullit kampion të “Ligue 1”, pranon se Reali i Madridit është vendosur në komunikim me ta për të kërkuar trajnerin Ançeloti. 

“Përpara disa ditësh, drejtori i përgjithshëm i Realit u vendos në kontakt me mua, për të folur rreth Ançelotit”, - deklaroi sheiku Al-Khelaifi.
“I thashë qartë se Karlo ka edhe një vit kontratë, prandaj kërkova më shumë respekt, për të mos përhapur zëra që mund të destabilizojnë klubin. Aktualisht, nuk kemi asnjë raport me Realin, por respekti është një e drejtë e jona për ta kërkuar”, - shtoi miliarderi arab.
Një zbulim i tillë tregon se, sipas të gjitha gjasave, rrugët e Murinjos me Realin në sezonin e ardhshëm do të ndahen, ndërsa Ançeloti mbetet një prej emrave më të lakuar prej madrilenëve. 
(e.m/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›