E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real-Shuster, në verë drejt divorcit

Bernd Shuster po planifikon largimin nga Reali i Madridit në fund të sezonit. Tekniku gjerman, me të cilin “blankos” u shpallën kampionë gjatë edicionit të kaluar, nuk duron dot më ndërhyrjet e Ramon Kalderon dhe Predrag Mijatoviç.

Në fakt, menjëherë sapo firmosi për klubin e kryeqytetit spanjoll (përpara dy vjetëve), Shuster nuk ishte i sigurt nëse do të vazhdonte aventurën me skuadrën edhe për një tjetër mandat.

Gazeta “Sport” theksonte se fitimi i titullit shërbeu për të ulur tensionin e krijuar në 12 muajt e parë të punës. Sipas kontratës, tekniku do të punonte për dy vjet me skuadrën, ndërsa më pas ekzistonte opsioni për rinovim.

Megjithatë, në këtë fillim sezoni, ai ka bërë zgjedhje, të cilat nuk janë pëlqyer nga presidenti Kalderon. Për këtë arsye, as drejtuesi më i lartë i klubit dhe as Shuster nuk duken se kanë ndërmend të negociojnë qëndrimin edhe për një vit në krye të skuadrës.

Fillimisht, Kalderon e vlerësoi punën e trajnerit në “Santiago Bernabeu”, duke e cilësuar atë si arkitektin e triumfit të vitit të kaluar.

Një sjellje krejt e kundërt më atë karshi Fabio Kapelos, pasi presidenti deklaronte se suksesi në kampionat erdhi prej lojtarëve dhe jo prej faktit se italiani ndryshoi situatën në skuadër. “Kuotimet” për Shusterin kanë rënë për shkak të mungesës së humorit dhe fakti se nuk di të bëjë “show” përpara mediave.

Madje, në klub tashmë besojnë se gjermani po “luan” me vendin që ka kapiteni Raul në ekip. Pasi kërkoi afrimin e një sulmuesi tjetër në merkaton e verës, ish-fantazisti i Barcelonës, Atletikos dhe Realit vazhdon të pretendojë një repart ofensiv më të fortë se ai që ka momentalisht në dispozicion.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›