E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali dhe Barcelona me akademi jashtë Spanjës

Gjigantët spanjollë, Real Madrid dhe Barcelona, janë duke shqyrtuar mundësitë për të vazhduar zgjerimin e tyre edhe jashtë vendit, duke krijuar akademitë e tyre të futbollit në territore të reja.
 

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka qenë në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Rijadh, këtë javë, për të inspektuar terrenin e propozuar, i cili do të zbulohet zyrtarisht muajin tjetër. Një bashkëpunim mes Fondacionit të Real Madridit dhe “Baniyas Holding”, kompania investuese e klubit Baniyas Sports do të bëjë që 300 fëmijë të atij vendi të regjistrohen të parët në këtë akademi.
Kjo vizitë u bë pas inaugurimit të Akademisë “FRM-Baniyas” në Abu Dhabi të martën, ku 400 djem dhe vajza priten të regjistrohen. Aty, Perez lajmëroi krijimin e Kongresit të Fondacionit të Real Madridit për Formacionin e Monitorëve të Sportit në shkretëtirë, një program i cili synon të grumbullojë 40 trajnerë nga Jordania, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për zhvillimin e strategjive në atë regjion.
Perez tha: “Ne kemi përgjegjësinë e madhe për të transmetuar vlerat që e kanë bërë Real Madridin një klub kaq unik dhe universal nga një gjeneratë të tjetrën. Talenti, besnikëria, respekti, performanca ekipore, puna e madhe dhe solidariteti janë principe të pathyeshme mbi të cilat ne qëndrojmë. Kjo akademi na mbush neve me krenari dhe ju do të jeni përgjegjës për implementimin e këtyre principeve dhe në mësimin e trashëgimisë së Real Madridit”.
Rivalët kryesorë të Realit, Barcelona, të cilët gjenden me pesë pikë më shumë se “los Blancos” në krye të La Ligës, kanë lidhjet e tyre në Lindjen e Mesme. Në dhjetor, kampioni spanjoll arriti një marrëveshje rekorde prej 220 milionë dollarë amerikanë me “Qatar Sports Investment” për të bartur logon e Fondacionit jofitimprurës të Katarit në pjesën e përparme të fanellës nga stinori i ardhshëm.
Akademia e parë e blaugranëve jashtë Spanjës, megjithatë, do të jetë diku më afër shtëpisë. Meqenëse ekipi i parë i Barcelonës është në Londër këtë javë pas humbjes prej 2:1 ndaj Arsenalit, lajmet kanë bërë të ditur se Barcelona do të krijojë akademi stërvitjesh për 300 fëmijë të moshave 16 vjeçare në shkollën ndërkombëtare “ASC” në CObham. Shkolla gjendet vetëm dy kilometra nga terreni stërvitor i kampionëve të Anglisë, Chelseat.
 

Sesionet stërvitore do t`i paraprijnë krijimit të një akademie permanente në Surrej, por duke folur për “Sky Sports”, trajneri nga akademia “La Masia” e Barcelonës, Xevi Marce, këmbënguli se nuk do të ketë ndonjë mosmarrëveshje me fqinjët e tyre të rinj.
Ai tha: “Ne nuk jemi duke ardhur këtu për të konkurruar kundër Chelseat. Ne do ta fillojmë këtë punë ngadalë, por padyshim që do të ndërtojmë një ekip këtu, stërvitim të gjithë fëmijët dhe t`u japim një pasion të madh për futbollin. Në të ardhmen ne mund edhe të humbasim një apo dy lojtarë te Chelsea apo anasjelltas. Nuk është ndonjë problem për ne, përderisa fëmijët mësojnë gjërat elementare të të qenit një futbollist profesional”.
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›