E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takohen t’fortit

Dy rivalët për titullin e kampionit të Kosovës në basketboll, Bambi dhe Sigal Prishtina, do të përballen mes veti të dielën në Mitrovicë, në derbin e xhiros së parë të stinorit pranveror. Të dyja ekipet e cilësojnë si shumë të rëndësishme këtë ndeshje, derisa synojnë fitore. Nga Valon Konushevci më 20 shkurt 2011 në ora 12:13

Të dielën në Mitrovicë do të zhvillohet ndeshja derbi e xhiros së parë e stinorit pranveror në BKT-Superligën e Kosovës në basketboll, ndërmjet Bambit dhe Sigal Prishtinës.

Të dyja këto skuadra stinorin vjeshtor e kanë përmbyllur duke u pozicionuar në dy pozitat e para të tabelës. Sigal Prishtina si kampion vjeshtor, kurse Bambi si nënkampion, me nga 27 pikë të tubuara.

Andaj, të dyja këto ekipe cilësohen si më favoritet për ta fituar sivjet titullin e kampionit të Kosovës. Madje, për ta arritur objektivin ekipi serb nga veriu i Mitrovicës veç është përforcuar me katër basketbollistë, të cilët do të debutojnë të dielën ndaj klubit më të suksesshëm kosovar.

“Në pranverë do të jemi më të fortë sesa që ishim gjatë vjeshtës, pasi jemi përforcuar edhe me katër lojtarë. Andaj synojmë ta fitojmë titullin e kampionit. Kjo varet shumë edhe nga ndeshja e parë e pranverës, pasi luajmë ndaj rivalit të drejtpërdrejtë për titull, Sigal Prishtinës. Ne synojmë të shënojmë fitore në këtë takim”, ka thënë trajneri i Bambit, Vladimir Dashiq.

Ndërkohë, edhe Sigal Prishtina është e vetëdijshme që e pret një sfidë e vështirë të dielën. Megjithatë, kampioni aktual është i qetë para kësaj ndeshjeje të rëndësishme. Bardhekaltrit synojnë ta mposhtin konkurrentin kryesor deri më tani, Bambin. Kështu ka pohuar përforcimi më i ri i Sigal Prishtinës, Elvan Iljazi, i cili pritet të debutojë me fanellën bardh e kaltër qysh të dielën.

“E dimë që Bambi është ekip i fortë. Por, ne jemi optimistë se do të shënojmë fitore. Do ta japim maksimumin nga vetja në këtë takim. Dua që ta fitoj ndeshjen e parë me Sigal Prishtinën”, ka pohuar Iljazi për Express, i cili nga klubi turk Oyak Renault u transferua në ekipin kryeqytetas.

“Gjithmonë kam ëndërruar të luaj për Prishtinën. Ëndrra m’u realizua. Çdo basketbollist kosovar ëndërron të luajë në klubin më të madh të vendit, në Sigal Prishtinë, sepse është ekip shumë i madh me një trajner të madh”, ka pohuar prizrenasi, i cili nga Sigal Prishtina synon ta mbërrijë majën e karrierës.

Sigal Prishtina në xhiron e parë të kampionatit qe mposhtur nga Bambi në Mitrovicë, por iu revanshua për humbje në ndeshjen e kthimit. Takimi i tretë mes këtyre dy ekipeve brenda këtij kampionati zhvillohet prej orës 13:00.

BKT-Superliga
Xhiroja e 15-të

E diel
Bambi – S. Prishtina(13:00)
Bashkimi – Kosova (19:00)
E hënë
Trepça – Mitrovica(19:00)

Peja, e fortë për Kolegjin EuroSport

Peja e ka nisur mjaft mirë stinorin pranveror. Pejanët kanë shënuar fitore me lehtësi ndaj Kolegjit EuroSport, në xhiron e parë të gjysmë-sezonit të dytë. Verdhezinjtë dominuan gjatë gjithë ndeshjes dhe në fund e mposhtën ekipin nga Bardhoshi me rezultat 133:76. Përpos Sigal Prishtinës e Bambit, edhe Peja llogaritet si favorite për ta fituar sivjet titullin e kampionit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›