Liga rajonale, shpëtim për boksin

Shumë përfaqësuese të shteteve të huaja në mesin e tyre kanë futbollistë, basketbollistë e hendbollistë shqiptarë. Por, nuk ka vetëm lojtarë shqiptarë që i mbrojnë ngjyrat e përfaqësueseve të shteteve të huaja.
Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kroacisë në boks është me prejardhje shqiptare. Ai është Leonard Pijetraj me origjinë nga Gjakova, por që ka lindur në Zagreb më 23 nëntor të vitit 1965.
Pijetraj që 30 vite merret me sport. Në 20 vitet e fundit ai punon si trajner i boksit dhe tani është seleksionues i reprezentacionit kroat. “Jam vlerësuar si trajneri më i mirë në Kroaci dhe kam nxjerrë kampionë në Evropë, kampionë të botës dhe jam pjesëmarrës në Ligën botërore”, ka thënë Pijetraj në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA.
Në fillim të viteve të ’90-ta, ai e ka hapur "Leonardo Box Club”. Boksieri i tij, Dino Mansour është kampion evropian për junior, ndërsa në peshën super të rëndë, Filip Hrgoviq është kampion aktual botëror për junior.
“Rrënjët shqiptare më bëjnë që të kem dëshirë dhe vullnet më të madh dhe me kënaqësi i pranoj të gjithë ata boksierë që vijnë nga ato vise. Ata janë djem shumë të talentuar dhe me ardhmëri të shkëlqyer për boks, por duhet shumë punë profesionale me ata djem, që të arrijnë ndonjë rezultat të mirë”, ka pohuar ai.
Seleksionuesi kroat ka njohuri edhe për boksin shqiptar, për të cilin thotë se ka të ardhme të ndritur. Madje, ai i ka vërejtur edhe vështirësitë nëpër të cilat kalon boksi shqiptar, ndonëse nuk i ka vizituar klubet e boksit në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni.
Pijetraj thotë se boksit shqiptar më së shumti i mungojnë paratë, por edhe numri më i madh i boksierëve nëpër klube, trajnerë profesionistë dhe sistem i mirëfilltë i garave.
Ai propozon formimin e një lige të rajonit, e cila, sipas tij, do të ishte shpëtim për boksin e kësaj pjese të Evropës.
“Nuk do të ishte keq që të organizohej një ligë ku do të merrnin pjesë: Serbia, Maqedonia, Kroacia, Kosova e Shqipëria. Në këtë ligë do të garonin këta boksierë të talentuar”, është shprehur ai.
Sipas tij, boksi shqiptar ka ngecur goxha mbrapa, por thotë se tani është në rrugë të mbarë për të përparuar. Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta vizitojë Kosovën.
“Unë u kam premtuar njerëzve në Kosovë, sepse më fton Federata e Kosovës, por kam edhe ftesa nga Maqedonia dhe Shqipëria gjatë takimeve nëpër meçe të ndryshme. Së fundi më ftojnë edhe familjarët e mi, sepse shumë moti nuk kam qenë dhe sapo të më jepet rasti do të vij, pavarësisht se në çfarë cilësie, por me rëndësi është që të vij dhe dëshiroj të takoj dhe t’i shoh ata njerëz”, vazhdoi Pijetraj.
Ai ka folur edhe për disa boksierë të njohur shqiptarë si për Luan Krasniqin, Nasi Hanin, Nuri Seferin, Naim Tërbunjën, Arnold Gjergjajn dhe Elvir Muriqin.
“Me shumicën prej tyre unë njihem dhe shpesh kemi biseduar dhe bashkëpunuar, bile ka pas fjalë se Elvir Muriqi do të vijë tek unë. Për të gjithë këta boksierë, karriera e tyre varet nga promotorët e tyre, menaxherët e tyre dhe njerëzit që udhëheqin dhe natyrisht edhe nga vetë ata, sepse duhet t’i përkushtohen maksimalisht boksit”, ka thënë Pijetraj, derisa e ka veçuar suksesin që ka arritur Luan Krasniqi.
Ndërkohë, Pijetraj ka fol edhe rreth Kombëtares kroate të cilën e udhëheq. Ai thotë se e ka fituar besimin për ta udhëheqë Kombëtaren kroate, pasi shumica e boksierëve të përfaqësueses janë nga klubi i tij.