E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon sërish

Përballja e Luan Krasniqit ndaj Johnathon Banks, e paraparë për t’u zhvilluar në javën e ardhshme, është anuluar. Kjo pasi boksieri kosovar është sëmurë. Ky është meçi i dytë rresht brenda dy viteve që i dështon Luanit në mungesë të fatit. Ky fakt e ka zhgënjyer jashtëzakonisht shumë Krasniqin, por edhe kundërshtarin e tij amerikan. Megjithatë, ata shpresojnë të takohen në ring, por në ndonjë datë tjetër. Nga Express më 20 shkurt 2011 në ora 12:15

Fati i keq vazhdon ta përcjellë Luan Krasniqin. Meçi i tij ndaj amerikanit Johnathon Banks, i paraparë për t’u zhvilluar më 26 shkurt, është anuluar. Kjo pasi boksieri kosovar është i sëmurë, sepse iu kanë pezmatuar sinusët. Lajmin e kanë konfirmuar për mediat gjermane organizatorët e këtij meçi.

Ndërkohë, edhe vetë Krasniqi ndihet jashtëzakonisht i dëshpëruar me këtë fat që e përcolli.

“Unë jam thellësisht i dëshpëruar. Nuk po mund të besoj. Më vjen shumë keq për fansat e mi, por një duel në vikendin e ardhshëm nuk është i mundur të realizohet. Shpresoj që dueli do të zhvillohet pak më vonë”, ka deklaruar Krasniqi për mediat gjermane.

Ndërkohë, ky lajm nuk i ka pëlqyer as kundërshtarit të Luanit, Banksit. Ai në çastet e fundit e ka anuluar udhëtimin drejt Gjermanisë, ku ishte e paparaparë të zhvillohej meçi ndërmjet boksierit kosovar me nënshtetësi gjermane dhe atij amerikan.

“Unë shpresoj që të ricaktohet një datë tjetër për zhvillimin e këtij meçi”, ka pohuar Banks.

Ky meç vlerësohej si shumë i rëndësishëm për të dy boksierët, pasi thuhej se fituesit e këtij dueli do t’i hapej rruga për të luftuar për titullin e kampionit botëror.

Por, ky meç akoma më i rëndësishëm ishte për 39 vjeçarin nga Juniku, sepse Krasniqi synonte që ta mposhtte amerikanin dhe më pas të luftonte për titullin e kampionit ndaj Vitali Klitschko.

Në këtë mënyrë, Luani synonte ta realizonte ëndrrën e tij të kahershme dhe më pas ta përmbyllte karrierën.

Luani ishte në fazën përfundimtare të përgatitjeve për meçin ndaj Banks. Ai ndihej jashtëzakonisht në formë të mirë dhe ishte i bindur se do ta mposhtte amerikanin. Krasniqit nuk i pritej ta zhvillonte meçin e 26 shkurtit, pasi ishte i etur për t’u ngjitur në ring pas plot dy vitesh.

Fat i njëjtë Krasniqin e pat përcjellë edhe para dy vitesh, kur meçi i tij ndaj Alexander Dimitrenkos ishte anuluar. Shkak i atij anulimi ishte një lëndim goxha i rëndë që e kishte pësuar Luani gjatë stërvitjeve për duelin ndaj Dimitrenkos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›