E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i madh kundër APOEL-it të vogël

Befasia e këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, skuadra qipriote APOEL Nicosia ndeshet me Real Madrid në duelin e parë çerekfinal. Gjiganti spanjoll është favorit i padiskutueshëm por APOEL-i ka paralajmëruar se do të jep maksimumin. Në takimin tjetër, Benfica pret Chelsean.

Rrugëtimi historik i APOEl-it në Ligën e Kampionëve do të përballet me sfidën më të vështirë të martën mbrëma kur klubi i vogël qipriot ndeshet me gjigantin e futbollit evropian, Real Madrid, në çerekfinalen më të pabarabartë në histori të garës.

Pas krijimit të historisë duke u bërë skuadra e parë qipriote që arriti në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve, APOEL-i zgjoi festa në rrugë në ishullin e vogël Mediteran duke eliminuar shtatë herë kampionin e Francës, Olympique Lyon në fazën e dytë.

Reali, nëntë herë kampion i Evropës me një grumbull yjesh botëror përfshirë Cristiano Ronaldon dhe Iker Casillasin, do të jenë kundërshtar të APOEL-it në përballjen e parë të skuadrave në Qipro të martën.

“Kjo është ndeshja më e madhe në historinë tonë, që po ashtu nderon futbollin qipriot”, deklaroi zyrtari i APOEL-it, Panicos Hadjiliasis për Associated Press. “Është nder i madh të përfaqësojnë Qipron në mesin e tetë skuadrave më të mira në Evropë. Kemi respekt të madh për Realin, do të bëjmë atë që kemi bërë në ndeshjet e kaluara evropiane. Do të japim maksimumin”, u shpreh ai.

Para ardhjes së Mourinhos, Reali kishte dështuar të kalojë në çerekfinale në gjashtë sezone me radhë. Por, nën drejtimin e strategut portugez, skuadra ka shkelur çerekfinalen për vitin e dytë me radhë dhe me vete ka rekordin e shtatë fitoreve nga tetë ndeshjet e deritashme të garës.

Mourinho, i cili synon të bëhet trajneri i parë që udhëhoqi tri skuadra drejt titullit kontinental, ka krijuar gjashtë pikë epërsi ndaj Barcelonës në La Liga, dhe është favorit absolut për të kaluar në gjysmëfinale.

Në duelin tjetër, Benfica pret Chelsean, skuadrën e vetme angleze që është ende në garë që sipas gjitha gjasave duhet ta fitojë garën në mënyrë që të jetë pjesë e saj edhe edicionin e ardhshëm.

Por, largimi nga Benfica në epërsi do të jetë punë mjaft e vështirë pasi skuadra portugeze është e pamposhtur në dhjetë ndeshjet e saj të kaluara në Evropë. Benfica kërkon gjysmëfinalen e garës elite të klubeve evropiane për herë të parë nga viti 1990.;

Çerekfinalja:

APOEL-Real Madrid 20:45

Benfica-Chelsea 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›