E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stripi i Sundurit

Shoqata e strip artistëve kosovarë ‘Xhennet Comics’, në kuadër të përgatitjeve për Festivalin e 8-të Ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës dhe festimit të 10-vjetorit të themelimit të shoqatës, organizon ekspozitën personale të strip artistit kosovar Gani Sunduri. Ekspozita hapet të mërkurën, më 28 mars, në hapësirën e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë.

Të mërkurën, më 28 mars, në kuadër të përgatitjeve për Festivalin e 8-të Ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës dhe festimit të 10-vjetorit të themelimit të shoqatës së strip artistëve kosovarë ‘Xhennet Comics’, në hapësirën e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë do të hapet ekspozita personale e strip artistit kosovar Gani Sunduri.

Ekspozita, e cila do të hapet në ora 17:00, shënon 15-vjetorin e veprimit në këtë lëmi të Sundurit.

Artisti Sunduri më 1997 e botoi stripin e parë të tij ‘Mungosi’, në dy vazhdime, në revistën ‘Hareja’. Prej vitit 1998 e deri më sot boton stripa në revistën për fëmijë ‘Fidani’. Është autori i parë në Kosovë, i cili i krijoi disa nga super-heronjtë kosovarë: ‘Shqiponja e kuqe’, ‘Super-fëmija’, ‘Flokarti’, ‘Black Devil’ etj.

Ka botuar tre numra të stripit ‘Star’. Bashkëpunon me disa gazeta ditore, duke vizatuar stripa në shtojcat për fëmijë si dhe karikatura. Botoi Stripin ‘Flokarti’ në Maqedoni në revistën e stripit ‘Kreator’. Disa vite me radhë ka qenë bashkëpunëtor në shtojcën ‘Vizatori’ në të përditshmen ‘Koha Ditore’.

Artisti Gani Sunduri ka marrë pjesë në disa ekspozita dhe festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Deri më tani ka marrë nëntë mirënjohje dhe dy çmime ne Maqedoni për zhvillimin e stripit në Kosovë.

Ekspozita personale e Sundurit mbahet me përkrahjen e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE–së në Prishtinë, ‘Arti i 9-të’ dhe Shoqatës së strip artistëve kosovarë ‘Xhennet Comics’.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›