E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali në krizë, Juve bën ligjin në Madrid

Nga Altin Latifi 

Reali i Madridit ka pësuar një tjetër humbje përballë Juventusit, duke treguar se tashmë ndodhet vërtetë në krizë. Madrilenët janë futur në fushë për hakmarrje në ndeshjen e mbrëmshme në "Bernabeu", por në të vërtetë kanë fituar vetëm fishkëllimat e publikut të pranishëm. Dy gola të Aleks Del Pieros, nga një për secilën pjesë, kanë vendosur fatet e këtij takimi që i sheh bardhezinjtë të kualifikuar për në turin tjetër dy ndeshje para kohe. Ndoshta askush nuk e mendonte se skuadra e Bernd Shuster do të pësonte një disfatë të tillë përballë tifozëve të vet. Tashmë që gjithçka është vërtetuar, tekniku gjerman rrezikon seriozisht postin. Vetëm një fitore në katër ndeshjet e fundit janë shumë pak për një ekip yjesh. Për më tepër që përballë ishte një Juventus dukshëm inferior në emra. Del Piero shënoi në minutën e 17-të me një goditje të saktë nga kufijtë e zonës dhe më pas Reali u hodh i tëri në sulm. Arbitri holandez Vink nuk dha dy penallti për vendasit, një për rrëzimin e Raul dhe tjetrën për një prekje me dorë të Legrotaljes. Kur pritej goli i Reali, Del Piero realizon perlën e tij të dytë, duke mposhtur Kasijas. Fitorja e çon Juventusin në turin tjetër, ndërsa Reali konfirmon krizën në rezultate. Në ndeshjen tjetër të grupit H, Zeniti u rifut në lojë, duke fituar 2-0 ndaj BATE Borisov. Pogrebnjak e Dani ishin autorët e golave për rusët.
Ndeshjet
Një tjetër ndeshje e madhe është luajtur në "Sëlltik Park" të Glazgout, aty ku Mançester Junajtid ka rrezikuar të pësojë humbjen e parë në këtë sezon të Champions League. Sëlltiku ka kaluar në avantazh që në minutën e 13-të me anë të MekDonald dhe më pas luftoi për çdo top, derisa Rajan Gigs barazoi shifrat në minutën e 84-t. Në ndeshjen tjetër të grupit E, Vilareali kaloi dy herë në avantazh, por në të dy rastet u barazua nga Alborgu në Danimarkë. Gjithsesi, pika e marrë mbrëmë thuajse e kualifikon për në turin tjetër skuadrën spanjolle, së cilës i duhet vetëm një barazim në dy ndeshjet e mbetura. Ndërkaq, barazim 1-1 në "Artemio Franki" mes Fiorentinës dhe Bajernit. Goli i Adrian Mutu në pjesën e parë u barazua nga Tim Borovski në të dytën. Bajerni edhe pse në transfertë zhvilloi një volum më të madh loje, por gaboi disa herë. Në ndeshjen tjetër të grupit F, Lioni fitoi 2-0 falë golave të Zhuninjos e Revelier. Francezët marrin kështu vendin e parë në grup me 8 pikë, duke qenë me një këmbë të kualifikuar në turin tjetër.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›