Realizimi i hapesires unike te valeve transmetuese
Propozimi i kryeministrit për një hapësirë shqiptare unike të valëve është mirëpritur jo vetëm nga komuniteti mediatik dhe ka gjetur një mbështetje të gjerë në Kosovë. Kështu kanë deklaruar Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) Mentor Shala dhe Drejtori i Televizionit Bekim Hasani, gjatë takimit me kryeministrin Berisha.
Kryeministri theksoi se ky është një hap i domosdoshëm, pjesë e një procesi të gjerë, në mënyrë që kombi të ndjehet një.
Duke shtjelluar këtë projekt, Kryeministri tha se realizimi i tij është plotësisht i mundshëm dhe se do t’i kërkojë RTSH-së mundësinë e vendosjes së repetitorëve të RTK-së në pikat e transmetimit të televizionit publik shqiptar në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa ftoi edhe të gjitha mediat e tjera në Kosovë, në rast se dëshirojnë, të shtrijnë transmetimet e tyre në Shqipëri.
“I garantoj se qeveria është e gatshme të marrë të gjitha masat e nevojshme që ky projekt të shndërrohet sa më shpejt në realitet. Është një hap në një proces universal të qindra e mijëra proceseve të tjera të domosdoshme për të bërë realitet bashkimin njëri me tjetrin, bashkimin kombëtar, bashkimin me Europën. Pra, një shekull i humbur për faktorë jo shqiptarë, ndaj duhet që këto pengesa të shkrihen dhe arkivohen në histori” deklaroi shefi i qeverisë pas takimit.
Zoti Shala tha se RTK ka një bashkëpunim të ngushtë dhe të frytshëm me TVSH-në dhe mbi këtë bazë do të punohet për realizimin e këtij propozimi, në mënyrë që t’i ofrojmë audiencave në Kosovë e Shqipëri, theksoi ai, programe të larmishme e veçanërisht t’i përcjellim aktualitetin dhe zhvillimet si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.