E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, kapen 321 kg drogë trafikantët çajnë postobllokun

Të tjera rreth shkrimit GJIROKASTER - Një sasi prej 321 kilogramë lëndë narkotike, e dyshuar si marijuanë u sekuestrua në aksin rrugor Gjirokastër- Tepelenë.

Operacioni u krye nga sektori kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës, të cilët sqarojnë se gjatë ndjekjes së transportuesve të drogës u bllokua një makinë tip “range rover” me targë TR 0962, i cili drejtohej nga një i ri nga Lazarati.

Makina “Range Rover” ishte i mbushur plot me pako me lëndë narkotike marijuanë dhe ishte i shoqëruar nga dy autovetura, të cilat kanë shpërthyer postobllokun e policisë në zonën e "Ujit të ftohtë" duke rrezikuar jetën e policëve.

Ndjekia e policisë ka filluar nga Gjirokastra deri në fshatin Luzat, ku dy automjetet janë larguar. Shoferi i mjetit me drogë ka braktisur makinën në fushat e e fshatit Luzat dhe është larguar, pasi është hedhur në lumin Vjosë dhe me not ka kaluar në anën tjetër të lumit.

Në dalje të Tepelenës drejtuesi i një nga mjeteve shoqëruese ka braktisur mjetin tip "Mercedez Benz" me targa false dhe është larguar.

Policia e Gjirokastrës njofton se po vijon ndjekja e makinës së tretë që shoqëronte automjetin me 321 kg lëndë narkotike.

Operacioni antidrogë u drejtua nga drejtori i policisë së qarkut Gjirokastër Ajet Dibra dhe shefi antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës Hektor Qeleposhi.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›