Rebelët e ri

Me publikimin e rezultateve të zgjedhjeve në Berlin, të dielën në mbrëmje, anëtarët simpatik të Partisë së Piratëve filluan të festojnë dhe të vallëzojnë, në një klub të popullarizuar në lagjen Kreuzberg. Aroma e marihuanës filloi të përhapet në ahengun joformal, ku mysafirët përgatitnin vet senduiçët e tyre dhe pinin birrë.
“Nuk mund të besoj”, deklaroi parlamentari i porsazgjedhur Cristopher Lauer, duke u ulur në divan, për të dërguar porosi falënderimi nëpërmjet Twitterit, adresuar 8.9 për qind të votuesve, të cilët votuan për partinë e tij. “Është kjo një gjë që të lë pa frymë, një gjë su-reale, nuk ka asgjë që mund të krahasohet me këtë”, shton ai.
Duke qëndruar i ulur para ekranit televiziv, udhëheqësi i Partisë së Piratëve, Sebastian Nerz, e cilësoi si “cool” këtë moment historik.
“Është kjo hera e parë që nga vitet e 80-ta që një forcë e re politike po del në skenë”, thotë ai.
Dhe më të vërtetë, përkrahja për partinë-e cila u themelua në vitin 2006, duke u mbështetur në platformën e lirive qytetare, e cila përqendrohet në lirinë në internet-ishte sensacionale. Jo vetëm që Partia e Piratëve hyri për herë të parë në një parlament rajonal, por ajo arriti të tejkalojë minimumin prej 5 për qind të votave, duke e kaluar pragun zgjedhor. Suksesi nuk ishte edhe gjithaq i papritur, pasi që partia kishte vetëm 15 kandidatë në listën e të emëruarve. Po të kishte qenë përkrahja për këtë parti paksa më e lartë, ulëset e saj do të kishin mbetur të zbrazëta, pasi që nuk lejohet emërimi i kandidatëve pas përfundimit të zgjedhjeve.
Është ky një gabim amator, por partia e re është e sinqertë kur bëhet fjalë për lëshimet që ka bërë.
“Natyrisht se ne jemi amatorë”, thotë kryesuesi i listës, Andreas Baum. “Do të ishte e pakuptimtë nëse e mohojmë këtë. Ne jemi vizionar, por praktik”, shton ai.
Por ishte pikërisht kjo qasje, e cila u dëshmua si e suksesshme për Partinë e Piratëve. Pankartat e tyre humoristike për fushatë, me sloganet si “Privatizoni religjionin”, ishin vepër e anëtarëve të partisë, e jo e ndonjë kompanie për marketing.
Partia e Piratëve e sheh vetën si antipod të demokristianëve të kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel.
“Ne dëshirojmë më shumë liri. Partia e Piratëve beson se njerëzit janë inteligjent dhe të mbushur përplot me vullnet të mirë”, thotë Pavel Mayer, biznesmen dhe kandidati i tretë i partisë për ulëse në parlament.
Suksesi i tyre në zgjedhje pjesërisht është edhe rezultat i dobësisë së partive tjera, shton Mayer.
Gjatë fushatës, partitë më të mëdha, përfshirë këtu edhe të gjelbrit, përqeshen Partinë e Piratëve. Kandidatja e të gjelbërve, Renate Kunast, theksoi se të gjelbrit do të “ri-socializojnë” Partinë e Piratëve, me qëllim që ajo të mos garojë në zgjedhjet e ardhshme.
Socialdemokrati Klaus Wowereit, i cili fitoi mandatin e tij të tretë si prefekt i Berlinit, ja tërhoqi vërejtjen banorëve të Berlinit që të mos votojnë për partinë e re në shenjë proteste dhe kritikoi “profilin tërësisht të paqartë” të Partisë së Piratëve, në intervistën dhënë gazetës Bild.
Këto kritika me gjasë kanë ndikuar që votuesit e ri të votojnë pikërisht për Partinë e Piratëve. Partitë tjera me gjasë nuk e kanë kuptuar faktin se Partia e Piratëve i është adresuar brengave dhe interesave të një grupi të rëndësishëm të votuesve.
Partia nuk u përqendrua vetëm në temat klasike, si demokracia e drejtpërdrejt, transparenca dhe mbrojtja e të dhënave online, por edhe në kërkesat, të cilat do të ishin të paimagjinueshme për politikanët tradicional. Partia, për shembull, angazhohet për legalizimin e narkotikëve të butë. Ky qëndrim duket se është pritur mirë në disa lagje të Berlinit, siç janë Kreuzbergu dhe Friedrichshain.
Piratët kanë edhe disa gjëra tjera, të cilat partitë tjera i kanë humbur që moti-besueshmërinë, autencitetin dhe freskinë.
Të gjelbrit dikur alternativ, numri i votave i të cilëve në Berlin ka shënuar rënie, ishin gjithashtu një parti e re me moto qesharake dhe metoda jo-konvencionale të fushatës. Kur ata hynë në parlament në vitin 1981, partitë tjera kishin qëndrim skeptik. Atëbotë, liberalët nga radhët e FDP-së cilësuan të gjelbrit si “anarkistë të brendshëm politik dhe bixhozxhinjë në fushën e politikës së jashtme, ndërsa kandidati i CDU-së, Richard von Weizsacker, i cili më vonë u emërua president i Gjermanisë, kishte deklaruar se “është e pamundur që të përshkruhen të gjelbrit”.
Atëbotë, të gjelbrit ngritën disa çështje serioze gjatë fushatës, të cilat u pritën mirë në qarqet alternative: diskutimet për natyrën, të drejtat e barabarta dhe paqen. Tema e ardhmërisë bëri që atë vit të gjelbrit të fitonin 7.2 për qind të votave në zgjedhjet për parlamentin e Berlinit.
Të dielën, Partia e Piratëve arriti të bëjë të njëjtën gjë, por me një rezultat edhe më të mirë. Por anëtarët e kësaj partie shpresojnë se do të bëjnë gjërat ndryshe.
“Për dallim nga të gjelbrit, ne planifikojmë t’i qëndrojmë besnik idealeve tona edhe në të ardhmën”, nënvizon udhëheqësi i partisë, Sebastian Nerz.