E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahtisari: BE të dërgojë porosi të qarta për gjithë rajonin

Nga Express më 22 shtator 2011 në ora 00:41

Ish-ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari ka siguruar presidenten Atifete Jahjaga se është i gatshëm që të ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj në skenën ndërkombëtare, ndërsa shprehu shqetësimin me procesin e ngadalshëm të njohjeve të Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Nju Jork, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, u takua me ish-emisarin e KB-ve për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.

Me këtë rast, Jahjaga e falënderoi ish-presidentin finlandez për punën dhe mbështetjen e tij për Kosovën dhe tha se vendi ka shënuar përparime të mëdha në veçanti në zbatimin e planit të hartuar nga Ahtisari.

Presidentja Jahjaga tha se shpërbërja e strukturave ilegale serbe në veri do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik për këtë pjesë të Kosovës dhe komunikimin më të lirë dhe të drejtpërdrejtë të qytetarëve serbë në veri me institucionet e Kosovës.

Nga ana e tij, Ahtisari tha se mosnjohja e Kosovës nga 5 vende të BE-së e ka vështirësuar rrugën e saj dhe theksoi se BE-ja duhet të dërgojë porosi të qarta për gjithë rajonin dhe për Kosovën në veçanti për proceset integruese.

Ai kërkoi që të qartësohen të gjitha pengesat që po i bëhen Kosovës që ajo të vazhdojë zhvillimin e saj në të gjitha fushat. Ish-presidenti Ahtisari tha se shpreson për ndryshim të gjendjes në veri të Kosovës dhe për integrimin e serbëve të kësaj pjese.

Gjatë ditës, presidentja Jahjaga zhvilloi një takim miqësor me udhëheqësit Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, me të cilët diskutoi për një varg çështjesh me rëndësi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›