Rebelët nuk e gjejnë Gaddafin në rezidencën e tij

Qindra rebelë libianë kanë depërtuar në rezidencën e kolonelit të Libisë, Muammar Gaddafi në Bab al-Aziziya, Tripoli, pas përleshjeve të ashpra. Ata kanë rrahur dhe vrarë disa nga njerëzit që e mbronin këtë bunker dhe kanë festuar marrjen e tij me të shtëna në ajër.
"Përfundoi! Gaddafi ka mbaruar!”, bërtiste një luftëtar midis të shtënave festuese në kompleks. Fuqitë perëndimore që e kishin mbështetur revoltën me sulme ajrore, nuk e kanë shpallur fitoren, pasi kthimi i shpejtë i rendit në Libi paraqet prioritet për ta, duke pasur parasysh shqetësimet se ndasitë etnike dhe fisnore midis rebelëve mund të degjenerojnë në anarki.
Shefi i Këshillit Nacional Rebel, Mustafa Abdel-Jalil, ka thënë: “Është shumë herët të thuhet se beteja e Tripolit ka marrë fund. Ajo nuk do të ndodhë derisa Gaddafi dhe bijtë e tij të kapen”.
Abdel Hakim Belhadj, komandant rebel, ka thënë se nuk e dinte ku ndodhej Gaddafi apo të bijtë e tij: “Ata kanë vrapuar si minj”. Zyrtarët e tjerë rebelë kanë thënë se besonin që koloneli 69-vjeçar mbase nuk kishte mundur të ikë shumë larg.
Sipas CNN, gazetarët në hotelin Rixos janë marrë peng nga forcat e Gadafit edhe pse jashtë tij rebelët po festojnë përparimin në territorët apo objektet e kontrolluara me parë nga koloneli.