E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebeli sirian që hëngri zemrën e ushtarit: E bëra për hakmarrje

SIRI - Kryengritësi sirian që shfaqet në videon shokuese, teksa i ha zemrën një ushtari të vdekur të regjimit të Bashar al-Assad, tha se këtë veprim e kishte bërë në shenjë hakmarrjeje për krimet që kanë bërë forcat e regjimit.

Revista amerikane “Time” shkruan se ka arritur të komunikojë përmes Skype me kryengritësin Halid al-Hamad, i cili ka marrë përgjegjësinë për kryerjen e aktit brutal.

Hamad mbrojti veprimin e tij duke thënë se gjithçka e kishte bërë për hakmarrje, pasi kishte gjetur në celularin e ushtarit të vrarë një video ku ai shfaqej duke poshtëruar një grua lakuriq dhe dy vajzat e saj.

Revista “Time” shkruan se Hamadi është suni, si shumica e opozitës që lufton kundër Assadit.

Videoja e tmerrshme ka tronditur opinionin publik në botë dhe vërtetoi akuzat se edhe opozita është përgjegjëse për krime lufte.

Komisionerja e lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillay, bëri thirrje për hetim ndaj akuzave për tortura, ekzekutime dhe krime të tjera të kryengritësve.

Ushtria e Lirë Siriane (FSA) njoftoi sot se ajo do të dënojë ata që kanë kryer krime.
"Çdo veprim në kundërshtim me vlerat për të cilat populli sirian ka derdhur gjaku dhe ka mbetur pa shtëpi, nuk do të tolerohet. Autorët e krimeve do të dënohen, edhe nëse kanë lidhje me FSA-në”, - thuhet në një deklaratë të ushtrisë së lirë siriane.

FSA thekson se komandantët në terren kanë marrë urdhra për të filluar "hetim të menjëhershëm të rastit dhe se autorët e krimeve do të dalin para drejtësisë", raporton AFP.

Për krimet e kryengritësve ka reaguar edhe forca kryesore opozitare siriane, Këshilli Nacional i Sirisë, që ka dënuar aktin e Hamadit, duke theksuar se është në kundërshti me vlerat dhe parimet e FSA-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›