Reçi pret sezonin e gështenjës, zona e njohur për cilësinë dhe shijen e prodhimit

Në fshatin piktoresk të Reçit, banorët janë në pritje të sezonit të gështenjës, produktit më të çmuar të zonës dhe burimit kryesor të të ardhurave për shumë familje. Pyjet e pafundme të gështenjave që rrethojnë fshatin tashmë po marrin ngjyrat e para të vjeshtës.
Kujtim Hysaj banor i fshatit Dukë në zonën e Reçit, shprehet se tani fillon sezoni i gështenjës. Ai tregon se çdo vit prodhon 5 deri në 10 kuintal gështenja, por që nga përhapja e sëmundjes sipas tij, prodhimi ka rënë ndjeshëm.
“…prodhojmë 5 deri në 10 kuintal gështenja. Që kur u përhap sëmundja, prodhohet shumë më pak”, thotë fermeri.
Reçi njihet në mbarë Shqipërinë për cilësinë dhe shijen e veçantë të gështenjave, të cilat çdo vit mblidhen me kujdes nga banorët dhe tregtohen në tregjet e vendit e më gjerë. Përveç rëndësisë ekonomike, gështenja është bërë edhe simbol i identitetit kulturor të fshatit, duke kulmuar me Festën e Gështenjës, që mbledh turistë e vizitorë nga e gjithë Shqipëria.
“Kjo zonë njihet për prodhimin e gështenjës, pasi është dheu, vetë toka dhe ambienti që e prodhon”, thotë fermeri.
Jo vetëm prodhimet bujqësore dhe blegtorale e bëjnë këtë zonë që të ketë një hov në zhvillimin ekonomik. Sot fshati i Reçit ofron turizëm gjithë vjetor, me natyrë të bukur, sportet e aventurës, traditë dhe kulinari
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/