E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raskaj impresionon Sandnesin

Anel Raskaj e ka impresionuar ekipin Sandnes Ulf gjatë provave që zhvilloi për disa ditë. Për këtë, drejtuesit e klubit norvegjez shpresojnë që 22 vjeçari të qëndrojë në elitën e futbollit norvegjez, duke e nënshkruar kontratën e cila tashmë është gati.

“Jemi në kontakte me menaxherin e Raskajt në tentim për ta realizuar këtë marrëveshje. Lojtarit ia kemi bërë ofertën, tash të shohim se çka do të ndodhë”, ka thënë drejtori sportiv i Sandnes, Tom Rune Espedal, për të përditshmen norvegjeze Aftenposten.

Mesfushori kosovar i ka lënë përshtypje të mira edhe trajnerit të klubit norvegjez, Asle Andersen. “Raskaj posedon kualitete tjera nga ato që kanë mesfushorët tanë, është lojtar mjaft interesant. Me rreth 100 ndeshje në Allsvenskan suedeze, ai ka një bagazh të mirë dhe ka demonstruar se mund të luajë në nivele të larta”, theksoi trajneri i klubit norvegjez.

Përfaqësuesi kosovar ishte larguar nga Halmstadi në fund të sezonit që shkoi, për shkak se ky ekip ra nga elita e futbollit suedez. Për këtë ai nuk pranonte ta vazhdonte kontratën. Në Sandnes Ulf luan edhe futbollisti tjetër kosovar Avni Pepa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›