E Diel, 1 Nëntor 2026

Reduktim i keshit në ekonomi, bizneset duhet të pajisen me terminale POS deri më 30 maj

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Bizneset kanë ende 37 ditë për të përmbushur detyrimin ligjor për pagesat pa para në dorë (CASHLESS) përmes terminaleve për pagesa elektronike (POS/POI) në strukturat akomoduese, shërbimet e transportit dhe institucionet/shoqëritë publike, ndërsa afati për sektorin e turizmit dhe transportit është 30 maj 2026.

Për të gjitha bizneset e tjera, ky afat përfundimtar është 31 dhjetori 2026.

Ndryshimet e fundit të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” synojnë uljen e përdorimit të parasë kesh, formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e transparencës në transaksionet ekonomike.

Sipas ligjit, bizneset duhet të pajisen me terminale POS, ndërkohë që kufiri i lejuar për pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve është ulur nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, me qëllim rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve dhe reduktimin e evazionit fiskal.

Ndërkohë, për transaksionet cash midis individëve dhe subjekteve të vetëpunësuara është vendosur një kufi prej 500 mijë lekësh për të kufizuar qarkullimin e parasë jashtë sistemit financiar formal.

DPT nënvizon se përmbushja e këtyre detyrimeve brenda afateve të përcaktuara do të sjellë shërbim më të shpejtë për qytetarët, më shumë transparencë dhe formalizim të aktivitetit ekonomik, duke kontribuar në modernizimin e sistemit të pagesave dhe luftën kundër evazionit fiskal.

Tatimpaguesit që nuk përmbushin këto detyrime rrezikojnë penalitete sipas legjislacionit në fuqi.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›