E Diel, 1 Nëntor 2026

Reeker: Ballkani Perëndimor, prioritet i Obamës

Zv.ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker

Ballkani Perëndimor është në krye të listës së presidentit amerikan Barak Obama, deklaroi ndihmëssekretari shtetëror amerikan, Filip Reeker.

Ai për gazetën e Sarajevës “Dnevni avaz” theksoi se vendi i tij për të gjitha çështjet për këtë rajon ka bashkëpunim të afërt me miqtë evropianë.

“SHBA beson se e ardhmja e rajonit është në integrimet evropiane dhe euroatlantike, me ç’rast një vend, i cili do ta zgjedh rrugën e integrimit nuk guxon të lihet anash”, theksoi ndihmësi i Hillari Klinton. Ballkani Perëndimor për këtë gjë, shtoi Reeker, ka të ardhme të ndritur.

Duke folur për zgjedhjet lokale në BeH ai theksoi se në qendër të vëmendjes në SHBA ka qenë procesi zgjedhor në Srebrenicë.

“Njeriu i parë i Srebrenicës duhet të punojë për të gjithë bashkësinë që ta promovojë pajtimin, që është temë mjaft e rëndësishme për rajonin e Ballkanit”, vlerëson Reeker.

“Presim se do ta inkurajojë kthimin e refugjatëve, do të mundësojë siguri për të gjithë qytetarët dhe do të fokusohet në sfidat ekonomike në Srebrenicë”, shtoi Reeker.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›