E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reeker kritikon Vetëvendosjen: Kush kërkon dhunë të mendohet dy herë

reeker-thaciKosovë- Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker ka adresuar kritika ta ashpra në adresë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar për pengimin e proceseve, pengim të punës së institucioneve dhe punës së diplomatëve (duke adresuar incidentin me ambasadoren Tracy Ann Jackobson).

Këto komente, Reeker i ka bërë gjatë një konference për shtyp i shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi, gjatë vizitës që po i bën Kosovës, ku dhe po zhvillon takime me zyrtarët vendas, transmeton Rel.

Reeker ka porositur Vetëvendosjen dhe të gjithë ata që si ka thënë ai kanë sjellje të palaçove të kenë parasysh se ai, ambasadorja Jackobson apo cilido diplomat tjetër amerikan nuk përfaqësojnë vetveten, por shtetin amerikan dhe presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Palaçot që duan të luajnë dhe të jenë të dhunshëm duhet të mendohen dy herë për veprimet e tyre për të ardhmen e vendit të tyre,- ka thënë Reeker, duke i porositur që sjellje të tilla nuk i takojnë shekullit XXI.

REL-i shkruan se kritikat e diplomatit amerikan pasuan protestat e fundit të Vetëvendosjes për pengimin e ratifikimit të Marrëveshjes Kosovë-Serbi, gjatë së cilave u pengua edhe ambasadorja amerikane të hynte në ndërtesën e parlamentit, ndërkaq në një rast ajo edhe pësoi një lëndim të lehtë.

Reeker tha se kush u kundërvihet këtyre proceseve, siç është edhe marrëveshja, i kundërvihet edhe politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa Thaçi u shpreh se vizita e  Reeker në Kosovë por edhe në rajon, ndërlidhet me shumë lajme të mira për Kosovën dhe rajonin; për Kosovën hapjen e procesit të Stabilizim-Asociimit, që është një e arritur jashtëzakonisht e madhe, që definitivisht Kosovën e ka vënë në vijë të sigurt drejt perspektivës euro-atlantike.

Në të njëjtën kohë, Reeker sot e informova edhe për hapat e mëtutjeshëm që po i bënë Republika e Kosovës, institucionet e saj, qytetarët e vendit, për vazhdimin e implementimit të Marrëveshjes së arritur më 19 prill në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë,- tha ndër të tjera Thaçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›