Reeker mbërrin në Tiranë, vizitë treditore
Zyrtari i DASH
Ka mbërritur dje në Tiranë, Philip T. Reeker, zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, i cili do të qëndrojë në Shqipëri deri ditën e diel. Në një tur të gjatë, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA, i cili mbulon Ballkanin, do të marrë pjesë në një konferencë mbi rolin e NATO-s në Europën Juglindore, që zhvillohet në Durrës si dhe do të takohet me krerët e shtetit dhe liderët politikë në vend. Zoti Reeker e hap serinë e takimeve sot me shefin e diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, ku do të japë qëndrimin e parë publik në lidhje me zhvillimet në Shqipëri. Më pas ai do të takojë kreun e shtetit Bujar Nishani, Kryeministrin Sali Berisha, ndërsa ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, zyrtari i lartë i DASH, do të takohet me liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama. Burime diplomatike bëjnë të ditur se vizita e zotit Reeker në Shqipëri do të jetë një mision i vërtetë diplomatik i studimit të situatës por edhe i dhënies së mesazheve të rëndësishme politike. Zyrtari i lartë i Uashingtonit, gjatë vizitës në Shqipëri, nuk do të jetë i shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksander Arvizu, i cili është në SHBA me pushime. Drejtimin e ambasadës e ka marrë zv.ambasadori Henry V. Jardine.
Reeker mbërrin në Tiranë, vizitë treditore burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip